Cakolli: Akuzat e Presidentes për “tradhtarë” dhe “mercenarë” rrezikojnë lirinë e shprehjes dhe demokracinë
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) përmes një reagimi në Facebook ka përmendur vrasjen e Charlie Kirk dje, duke theksuar se kjo është pasojë e një klime politike ku urrejtja dhe demonizimi i kritikëve janë normalizuar. Sipas tij, kur akuzat ndaj të tjerëve marrin trajtën e etiketimit si “tradhtarë”, ato mund të nxisin dhunë, veçanërisht tek individë të paqëndrueshëm mendërisht, shkruan Reporteri.net.
Cakolli paralajmëron se Kosova, edhe pse nuk ka arritur ende në nivele të dhunës fatale si SHBA-ja, po ecën në një drejtim të gabuar për shkak të ndërtimit të një mjedisi politik të ngjashëm.
Ai kritikon Presidenten e vendit për akuzat ndaj gazetarëve për lidhje me Milan Radoiçiqin. Sipas Cakollit, ky është sulm i drejtëpërdrejtë i demokracisë, por që Presidentja nuk është e vetmja në këtë frymë.
“Ky është një model i konsoliduar i gati krejt pushtetit aktual. Kushdo që kritikon shpallet “tradhtar,” “mercenar,” ose “me Serbinë”, shkroi ai mes tjerash.
Reagimi:
Në Amerikë, dje u vra dikush si pasojë e një klime politike ku urrejtja dhe demonizimi i kritikëve janë normalizuar. Ky është rezultati kur kushdo që mendon ndryshe linçohet si armik, e kur etiketa e “tradhtarit” bëhet pjesë e përditshmërisë politike.
Një ditë, dikush – qoftë edhe mentalisht i paqëndrueshëm – i merr seriozisht akuzat dhe kalon nga fjala në dhunë.
Kosova nuk ka arritur ende në pikën e dhunës fatale sikur SHBA-të. Por është e pamohueshme se po shkojmë në një drejtim të gabuar, sepse po ndërtojmë një mjedis politik të bazuar në të njëjtën logjikë.
E kësaj logjike i kontribuoi sot, hiç më pak se vetë Presidentja e vendit, e cila në një konferencë skandaloze me gjuhë krejt të papërgjegjshme akuzoi gazetarët se kanë lidhje me Milan Radoiçiqin dhe plane për grusht-shtet. Nëse nuk ka prova dhe nëse institucionet nuk veprojnë, kjo nuk është mbrojtje e shtetit e as luftë kundër krimit – por është sulm i drejtpërdrejtë ndaj zërave kritikë dhe vetë themeleve të demokracisë.
E fatkeqësisht, Presidentja nuk është e vetmja në këtë frymë. Ky është një model i konsoliduar i gati krejt pushtetit aktual. Kushdo që kritikon shpallet “tradhtar,” “mercenar,” ose “me Serbinë.” E këto fjalë nuk mbesin në sallat e konferencave – ato përhapen te militantët dhe te turma në rrjete sociale, ku gjuha bëhet edhe më e dhunshme dhe më degraduese. Kështu mbyten debati dhe liria e shprehjes, duke krijuar terren ku nesër dikush mund të ndjehet i justifikuar të shkojë më tej se fjala dhe sharja.
Nëse duam Kosovë demokratike, duhet ta thyejmë këtë logjikë binare të “patriotëve” kundër “tradhtarëve.” Sepse patriotizëm nuk është të demonizosh kundërshtarin, e aq më pak kritikun.
Patriotizëm është të pranosh kritikën, ta përballesh me argumente (nëse ke) dhe të tentosh ta zbutësh diskursin e acaruar.
Çdo gjë tjetër është helmim i opinionit publik – dhe helmi, siç po shihet gjithandej në botë, gjithmonë përfundon në dhunë.
© SYRI.net