Lëvizja Vetëvendosje ka dalë me reagim pas publikimit të Aktgjykimit lidhur me seancën konstituive nga Gjykata Kushtetuese, ku ka kritikuar vonesën në publikimin e Aktgjykimit, teksa e ka cilësuar vendimin si arbitrar e që cënon demokracinë.
Tutje thuhet se në arsyetimin e Gjykatës “dallohet se nuk ka asgjë tjetër përpos frazave të përdorura nga PDK mbi analogjinë” dhe se Kushtetuesja po po përgatit terrenin për dhënien e së drejtës së propozimit ndonjë partie tjetër pas 30 ditëve nëse dështon partia e parë për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit.
“Në bazë të “tezës” së analogjisë me zgjedhjet e institucioneve të tjera, duket se Gjykata po përgatit terrenin për dhënien e së drejtës së propozimit ndonjë partie tjetër pas 30 ditëve nëse dështon partia e parë për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Këtë po e kërkojnë dhe thonë eksponentët opozitarë, madje edhe në komentet dërguar kushtetueses. Si rrallë herë, Gjykata Kushtetuese nuk iu referua asnjë kushtetute evropiane dhe botërore, as nuk kërkoi mendime të gjykatave kushtetuese homologe për krahasueshmëri rastesh. Një rast pra si asnjë rast tjetër”, theksohet në reagim.
Ndryshe, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me seancën konstituive të Kuvendit tashmë është publikuar në Gazetën Zyrtare, shkruan Reporteri.net.
Me publikimin e këtij Aktgjykimi, hyn në fuqi edhe afati 30 ditor për konstituimin e Kuvendit.
Gjykata ka theksuar se deputetët janë të detyruar që jo më vonë se 30 ditë të përmbyllin seancën konstituive duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit.
Sipas Kushtetueses, për shkak se seancat e deritanishme nuk janë zhvilluar në përputhje me aktgjykimin në rastin KO124/25, procesi duhet të rikthehet në fazën ku kishte mbetur, teksa seancat nga data 27 qershor deri më 26 korrik, janë shpallur të pavlefshme.
“Në vijim të kësaj, Gjykata sërish vë në dukje parimet dhe standardet që ndërlidhen me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ashtu siç është specifikuar më lart, Gjykata rithekson që mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përbën mosrespektim të Kushtetutës. Prandaj, në kuptim të moszbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese,ashtu siç është afirmuar edhe nga Komisioni i Venecias, masat e nxjerra për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë legjitime, (shih paragrafin 69 të Opinionit CDL-AD (2017) 003). Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata vlerëson që, për faktin që seancat e deritanishme nuk janë zhvilluar sipas Aktgjykimit në rastin KO124/25, procesi duhet të kthehet në fazën që kishte mbetur. Për këtë arsye, Gjykata thekson që vazhdimi i Seancës Konstituive me qëllimin për të konstituuar dhe funksionalizuar Kuvendin e Republikës së Kosovës është në pajtim me Kushtetutën dhe frymën e saj dhe që vazhdimi i Seancës Konstituive konsiderohet si i domosdoshëm në mënyrë që Kuvendi i Republikës së Kosovës si organ përfaqësues, ligjvënës dhe mbikëqyrës të jetë plotësisht funksional në ushtrimin e mandatit kushtetues.”, thuhet në nenin 132 të këtij aktgjykimi të Kushtetueses
© SYRI.net