Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se Kosova e ka tejkaluar për 207 për qind numrin e paraparë të autoblindave në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit 2019-2028.
Duke komentuar pranimin e kontingjentit prej 50 autoblindave ASV nga Shtetet e Bashkuara një ditë më parë, Maqedonci ka thënë se ky është kontingjenti i dytë dhe se është kontraktuar në prill të 2024-s. Sipas tij, pagesa është bërë në qershor të vitit të shkuar.
“Sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranizicionit, një plan dhjetëvjeçar i hartuar më 2018 dhe i miratuar në janar 2019, brenda dhjetë vitesh, pra deri në vitin 2028, Forca e Sigurisë së Kosovës do të duhej të kishte disa dhjetëra automjete të blinduara. Por deri tani më 2025, pra tre vite më herët, ushtria e Kosovës është pajisur me disa qindra autoblinda, duke e tejkaluar saktësisht për 207 % numrin e paraparë të autoblindave nga PGJT-ja, që planifikohej të kishte FSK-ja pas tre vitesh, në vitin 2028. Në vitin 2021, buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në ishte 67 milionë euro, kurse sivjet më 2025, buxheti vjetor është paraparë të jetë 208 milionë euro, pa llogaritur alokimet shtesë”, ka shkruar ai në Facebook.
Maqedonci ka thënë se me investimet në blerje ushtarake, Kosova po e forcon ushtrinë dhe “ajo bëhet garanci më e fortë për mbrojtjen e sovranitetit dhe territorialitetit të vendit, kurse duke u rritur dhe fuqizuar, Forca jonë bëhet më e ndërveprueshme me aleatët tanë, rrugës për në NATO”.
© SYRI.net