Hoti: Obligim i secilit prej nesh të ndalojë rrëshqitjen e Kosovës drejt autokracisë partiake

Hoti: Obligim i secilit prej nesh të ndalojë rrëshqitjen e Kosovës drejt autokracisë partiake

12:33, 16/08/2025

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se gjatë viteve të qeverisjes të LDK-së, kanë pasur mospajtime me shumë akterë publikë e privatë, por gjithmonë thotë se kanë vepruar me maturi dhe respekt institucional, si me Gjykatën Kushtetuese, Radio Televizonin e Kosovës, komunitetin e bizneseve e organizatat e shoqërisë civile.

Ai përmes një postimi në Facebook thotë se kjo nuk është diçka e jashtëzakonshme, por shton se kështu duhet të sillet një qeveri normale.

“Kjo lloj qasje është detyrimi i çdo qeverie. Përndryshe, vendi rrëshqet në autokraci partiake, siç po ndodh sot”.

“Është obligim i secilit prej nesh, në veçanti i spektrit politik, të ndalojë këtë rrëshqitje të Kosovës drejt autokracisë partiake”, ka skruar ndër të tjera Hoti.

Postimi i tij i plotë:

Gjatë viteve të qeverisjes të LDK-së, kemi pasur mospajtime me shumë akterë publikë e privatë, por gjithmonë kemi vepruar me maturi dhe respekt institucional.

• Me RTK-në: Ka pasur raste kur nuk jemi pajtuar me qëndrimet apo sjelljet e tyre. Por asnjëherë nuk i kemi penalizuar me buxhet apo në ndonjë formë tjetër.

• Me komunitetin e bizneseve: Nuk kemi qenë gjithmonë në një mendim për politikat ekonomike. Megjithatë, asnjëherë nuk i kemi trajtuar si armiq dhe nuk i kemi luftuar. Përkundrazi, kemi insistuar në dialog e komunikim të ngushtë për të sheshuar dallimet.

• Me Gjykatën Kushtetuese: Ka pasur vendime që koha po tregon se kanë qenë të gabuara, të pabazuara dhe të motivuara. Por askujt në LDK nuk i ka shkuar në mendje të sulmojë Gjykatën. Gjithmonë kemi respektuar vendimet dhe kemi vepruar sipas tyre pa asnjë vonesë.

• Me organizatat e shoqërisë civile: Edhe kur nuk jemi pajtuar me agjendat e tyre, asnjëherë nuk i kemi luftuar. Përkundrazi, kemi rritur transparencën dhe kemi intensifikuar komunikimin publik për të arsyetuar politikat tona.
• Me aleatët tanë: Edhe kur kemi pasur mospajtime, kurrë nuk i kemi sharë apo kritikuar në publik. Përkundrazi, kemi forcuar komunikimin për të gjetur mirëkuptim.

Kjo nuk është diçka e jashtëzakonshme, kështu duhet të sillet një qeveri normale. Kjo lloj qasje është detyrimi i çdo qeverie. Përndryshe, vendi rrëshqet në autokraci partiake, siç po ndodh sot.

Është obligim i secilit prej nesh, në veçanti i spektrit politik, të ndalojë këtë rrëshqitje të Kosovës drejt autokracisë partiake.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco