Edhe Apeli i Gjykatës Speciale e refuzon kërkesën e Veselit, Selimit dhe Krasniqit për lirim të përkohshëm

Edhe Apeli i Gjykatës Speciale e refuzon kërkesën e Veselit, Selimit dhe Krasniqit për lirim të përkohshëm

12:03, 15/08/2025

Dhoma e Apelit e Gjykatës Speciale e ka refuzuar kërkesën e Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për lirim të përkohshëm. Ndërsa, Hashim Thaçi nuk ka parashtruar një kërkesë të tillë.

“Sikurse ju kemi informuar më parë, pas refuzimit nga Trupi Gjykues të kërkesave të tyre për lirim të përkohshëm, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi i paraqitën apele Panelit të Gjykatës së Apelit. Më 13 gusht 2025, Paneli i Gjykatës së Apelit i rrëzoi të tre apelet”, është bërë e ditur në njoftimine Speciales.

Mbrojtja e Veselit kishte parashtruar se çdo rrezik i mbetur i identifikuar nga trupi gjykues, mund të menaxhohet në mënyrë efektive përmes lirimit të përkohshëm me kushte të zbatuara nga Policia e Kosovës.

Ngjashëm edhe mbrojtja e Selimit i ishte referuar garancive të ofruara nga Policia e Kosovës. Gjithashtu, ata kishin argumentuar se përfundimi i çështjes së Prokurorisë i zbut tejmase gjasat që i akuzuari të ndërmarrë veprime penguese ndaj procesit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimitdhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./Reporteri.net/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco