Makineritë ndërtuese të kontraktuara nga Komuna e Prishtinës kanë nisur sërish punimet në sheshin “Xhorxh Bush” në kryeqytet.
Pas një “lufte” mes pushtetit qendror dhe atij lokal, ndalimit të punimeve me vendim të Ministrisë së Kulturës, e pas anulimit të vendimit të Gjykatës Themelore nga ajo e Apelit, sot ka nisur sërish puna në zonën e paraparë të shndërrohet në shesh, në qendër të kryeqytetit.
Në një video të publikuar nga “Interaktiv Talks” shihen edhe punëtorët me bagerë që po kryejnë punime të enjten në sheshin e ri, pranë Katedrales “Nënë Tereza”.
Më 19 korrik, Kryetari Rama kishte deklaruar se Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e komunës së Prishtinës për sheshin “Xhorxh Bush”.
Ai kishte thënë se Gjykata e Apelit e ka anuluar vendimin e mëparshëm të Gjykatës Themelore, duke kthyer çështjen për rishqyrtim.
“Ky vendim i ri i Gjykatës së Apelit vërteton se kemi pasur të drejtë dhe se veprimi ynë ka qenë në përputhje me interesin publik dhe ligjin.E kemi thënë dhe do ta themi sërish: qendrat e qyteteve moderne nuk ndërtohen mbi ndotje, zhurmë dhe privilegje të vjetra, por mbi parimin që qyteti u takon KËMBËSORËVE, jo MAKINAVE”, kishte shkruar Rama.
© SYRI.net