Banka Qendrore e Kosovës ka publikuar “Raportin e Stabilitetit Financiar”, ku parashikon një rritje ekonomike prej 4.1 për qind në vitin 2025 dhe një normë mesatare të inflacionit prej 3.3 për qind. Sipas BQK-së, këto parashikime bazohen kryesisht te konsumi privat dhe investimet.
Në raport theksohet se gjatë vitit 2024, ekonomia e Kosovës u rrit me 4.4 për qind, ndërsa norma vjetore e inflacionit zbriti në 1.6 për qind.
“Raporti konfirmon qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e sistemit financiar të Kosovës, mbikëqyrjen prudente rregullative dhe praktikat efektive të menaxhimit të rrezikut. Megjithatë, këto arritje mbeten të ekspozuara ndaj pasigurive ekonomike globale, duke kërkuar një vëmendje të vazhdueshme. Ekonomia e Kosovës u rrit me 4.4% në vitin 2024, e mbështetur nga konsumi privat, investimet dhe eksportet. Norma vjetore e inflacionit zbriti në nivelin prej 1.6 %, kryesisht si rezultat i uljes së çmimeve të ushqimeve dhe mallrave të importuara. Për vitin 2025, BQK parashikon një rritje ekonomike prej 4.1% dhe një normë mesatare të inflacionit prej 3.3%, të nxitur kryesisht nga konsumi privat dhe investimet. Sektori fiskal shënoi performancë të qëndrueshme, me deficit minimal dhe ulje të raportit të borxhit publik ndaj BPV-së. Megjithatë, thellimi i deficitit të llogarisë rrjedhëse, si dhe trendet e remitancave dhe të investimeve të huaja direkte mbeten sfida strukturore që kërkojnë vëmendje dhe monitorim të shtuar”, thuhet në raport.
© SYRI.net