Vrasjet e fundit në vend, Rama kërkon të nis menjëherë konfiskimi i armëve të paligjshme

Vrasjet e fundit në vend, Rama kërkon të nis menjëherë konfiskimi i armëve të paligjshme

10:50, 12/08/2025

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas rasteve të vrasjeve të fundit në vend, duke thënë se këto nuk janë thjesht statistika, por humbje të afërta për komunitetin.

Rama kritikoi mungesën e një qeverie funksionale, duke theksuar se qytetarët kanë mbetur me institucione “në detyrë” ndërsa rreziku po merr jetë çdo ditë.

Ai kërkoi nga policia, MPB-ja, gjyqësori dhe komunat të nisin menjëherë një fushatë për konfiskimin e armëve të paligjshme, duke e cilësuar si detyrë morale dhe veprim urgjent.

Postimi:

Të nderuar qytetarë të Prishtinës dhe të Republikës së Kosovës!

Ditët e fundit, vendi ynë është tronditur nga një varg incidentesh të dhunshme me humbje tragjike jetësh. Këto nuk janë thjesht numra. Janë fqinjët tanë, miqtë tanë, anëtarët e familjeve tona. Dhimbja e tyre është dhimbja jonë si shoqëri, si institucione si shtet!

Ajo që e bën gjendjen edhe më shqetësuese është fakti se qytetarët e Kosovës nuk kanë sot një qeveri funksionale pas vetes, që merret seriozisht me nevojat dhe sigurinë e tyre. Kjo është për keqardhje. Populli i këtij shteti ka mbetur me institucione “në detyrë”, ndërsa rreziku çdo ditë po merr jetë. 

Si Kryetar i Kryeqytetit, brenda kompetencave të mia ligjore dhe morale, i bëj thirrje Policisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjyqësorit dhe udhëheqësve të çdo komune që të nisim menjëherë një fushatë të koordinuar për konfiskimin e të gjitha armëve të paligjshme. Veprimi duhet të jetë i shpejtë, i ligjshëm dhe transparent.

Kjo nuk është thjesht një thirrje për veprim. Është një detyrë morale. Viktimat i nderojmë jo vetëm me fjalë, por me ndryshim real.

Faleminderit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco