Ministria e Drejtësisë ka reaguar pas njoftimit se Mefail dhe Edonis Shkodra, të dyshuarit për vrasjen e trefishtë në Gjilan, ishin liruar me dorëzani në tetorin e vitit të kaluar me kërkesë të Prokurorisë Speciale, tre muaj pasi ishin arrestuar për fajde dhe detyrim në një aksion të Policisë në Gjilan.
Në reagimin e saj, MD e ka cilësuar këtë vendim si të pakuptueshëm dhe të papranueshëm, teksa ka thënë se lirimi i tyre përbën një neglizhencë të rëndë institucionale, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ministria u ka bërë thirrje Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial që të fillojnë menjëherë procedura disiplinore ndaj të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve që kanë qenë të përfhirë.
“Gjithashtu, Ministria u bën thirrje të gjitha forcave politike që të ndalin pengesat e vazhdueshme ndaj reformave në sistemin e drejtësisë. Reforma në drejtësi nuk është luks dhe as çështje e interesit të ngushtë politik por është një domosdoshmëri për të garantuar sigurinë, drejtësinë dhe të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Drejtësia nuk është pronë e askujt. Ajo duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit ligjor. Kjo ngjarje tragjike duhet të shërbejë si alarm për të gjithë, pa një drejtësi funksionale, nuk mund të ketë siguri, drejtësi apo paqe sociale”, thuhet në reagim.
© SYRI.net