Deputetja e partisë “Guxo”, Jeta Statovci, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me kufizimin e numrit të propozimeve për kryetar të Kuvendit.
Ajo e ka akuzuar Kushtetuesen se nuk po e interpreton Kushtetutën, por po e rishkruan atë, duke i marrë kompetencat që, sipas saj, i takojnë vetëm Kuvendit të Kosovës.
“S’mund të mbyllim sytë para faktit që ky dispozitiv nuk mbështetet në asnjë nen të Kushtetutës. As në praktikë, as në logjikë kushtetuese, nuk ekziston kufizimi që një kandidat për kryetar Kuvendi të mund të propozohet vetëm tri herë. Përkundrazi – vetë aktgjykimet e mëparshme e kundërshtojnë këtë logjikë”, ka thënë Statovci.
Ajo ka vënë në pah se Gjykata Kushtetuese po krijon norma për numrin e propozimeve, por nuk vendos detyrime për pjesën tjetër të deputetëve, duke e quajtur këtë veprim manipulim procedural në shërbim të politikave ditore.
Sipas saj, demokracia nuk mund të pezullohet në këtë mënyrë dhe, nëse institucionet nuk ofrojnë sqarim, i vetmi adresim mbetet te populli. “Ka ndodhur edhe më herët që pak grupe interesi kanë sfiduar një popull. Dihet epilogu. E kush nuk mëson nga historia, i përsëritet”, ka shtuar deputetja e “Guxo”-s.
© SYRI.net