Lumir Abdixhiku, kandidati për kryeministër i LDK-së, ka mbajtur një tubim sot me qytetarët e Podujevës.
Para qytetarëve, ai ka thënë se LDK-ja është e Llapit, dhe Llapi është i LDK-së.
“Kohë më parë, mu në Llap, ndarësit e popullit, përçarësit e vendit, shpërndarësit e urrejtjes kishin kërkuar mbytjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës. E kishin kërkuar këtu në Llap, si nuk e dini këta të shkretë se LDK-ja ka lind në Llap, është mbrojtur në Llap, LDK-ja do të rikthehet në Llap. Llapi nuk mund të mbyt LDK-në, Llapi është vet LDK-ja. Pa Llap nuk ka LDK, dhe pa LDK nuk ka as Llap. Ky Llap e ka mbrojtur LDK-në e vet po e dërgon drejt fitores së të dielës, tashmë po vjen si uragan i djathtë”.
“Llapi po i jep LDK-së rrugën e mbarë, Llapi i dha LDK-së gjithmonë më të mirët, përveçse organizoi e mbajti lëvizjen më të madhe kombëtare për liri dhe pavarësi, Llapi i dha burrat më të mëdhenj drejt kësaj kauze sa fisnike edhe aq historike”.
“Llapi i dha LDK-së dhe Kosovës patriotin e madh Enver Malokun, Llapi i dha LDK-së Xhemajl Mustafën, Llapi i dha LDK-së dhe Kosovës presidentin e shpalljes së pavarësisë, Fatmir Sejdiun. Llapi i dha djemtë dhe vajzat më të mirë për liri dha Zahir Pajazitin, Hakif Zejnullahun, Ilir Konushevcin, e Ali Ajetin”, ka thënë Abdixhiku.
© SYRI.net