Hekurudha, central me gaz dhe digjitalizim të sistemit bujqësor: Planet e PDK-së për infrastrukturë, ambient e bujqësi

Hekurudha, central me gaz dhe digjitalizim të sistemit bujqësor: Planet e PDK-së për infrastrukturë, ambient e bujqësi

20:09, 01/02/2025

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka paraqitur rëndësinë e funksionalizimit të rrjetit të hekurudhave, përfshirë ndërtimin dhe elektrifikimin e tij, si një mënyrë për të lehtësuar transportin dhe për të kontribuar në zhvillimin ekonomik.

Kandidatët për deputetë nga kjo parti: Bernard Nikaj, Ganimete Musliu dhe Hava Mlinaku kanë theksuar nevojën për investime të mëdha në infrastrukturë publike, për realizimin e të cilave pretendojnë se do të përdoren fonde nga Bashkimi Europian dhe nga burime të tjera, duke u përqendruar veçanërisht në zhvillimin e rrugëve dhe lidhjeve hekurudhore me rajonin.

Në fushën e bujqësisë, këta tre kandidatë për deputetë, në “DebatPërnime” më 01.02.2025, kanë premtuar mbështetje të vazhdueshme për fermerët, shpërndarje të  subvencioneve dhe digjitalizimit të këtij sektori me qëllim të luftimit të korrupsionit në shpërndarjen e granteve dhe subvencioneve.

PDK gjithashtu ka propozuar zgjidhje për problemet energjetike të Kosovës, duke përfshirë fokusimin në burimet e energjisë të ripërtritshme dhe bashkëpunimin rajonal për projekte energjetike.

Kandidat i PDK-së për kryeministër është Bedri Hamza, ndërsa kundërshtarë në garën e 9 shkurtit e ka kandidatin e Vetëvendosjes, njëherësh kryeministrin aktual Albin Kurti; Lumir Abdixhikun nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Gjithsej 2 milionë e 75 mijë e 868 votues do të kenë të drejtë vote këto Zgjedhje – sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime vetëm në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues.

Në zgjedhjet parlamentare do të garojnë 27 subjekte politike. Prej tyre 19 janë parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur. Ky është procesi i parë i rregullt zgjedhor në Kosovë, që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

Planet për infrastrukturën

Bernard Nikaj, kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka theksuar se një prej fokusimeve kryesore është funksionalizimi i rrjetit të hekurudhave në Kosovë, i cili do të kontribuonte në lehtësimin e transportit, jo vetëm për çështje ekonomike, por edhe për udhëtarët.

Një nga premtimet e Partisë Demokratike është ndërtimi i këtij rrjeti, duke përfshirë edhe elektrifikimin e tij dhe vendosjen e trenave në funksion.

Në planprogramin e PDK-së është paraparë ndërtimi i lidhjes hekurudhore me Shqipërinë; negocimi dhe projektimi i një lidhjeje të re me autostradën dhe hekurudhën me Malin e Zi; funksionalizimi i linjës Klinë – Prizren dhe elektrifikimi i rrjetit hekurudhor për ta ngritur nivelin e shërbimit me shpejtësi prej 120 km/h.

Nikaj gjithashtu shprehur dëshirën për një linjë hekurudhore që lidh Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës me Prishtinën.

“Unë e kam shumë për zemër një linjë hekurudhore që lidh Aeroportin me Prishtinën dhe kjo do të bënte një transformim”- tha ai.

Në lidhje me programin e Partisë Demokratike të Kosovës, Nikaj ka theksuar se në të gjitha fushat e tij, përfshirë infrastrukturën, arsimin dhe shëndetësinë, është vendosur një bazament i quajtur “gjelbër dhe digjital.”

Një tjetër çështje e përmendur nga Nikaj është tarifa për përdorimin e autostradave për ata që vijnë nga shtetet e rajonit. Ai nuk u përgjigj nëse kanë program për këtë çështje, edhe pse përmendi disa modalitete për të ardhmen.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco