Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, gjatë një tubimi në Suharekë prezantoi programin “Rruga e Re”, një plan që përfshin 120 projekte me një buxhet prej 5 miliardë eurosh.
Abdixhiku theksoi se Suhareka mbetet besnike ndaj vizionit rugovist dhe është e gatshme për ndryshime të mëdha.
“Kushtrimi i djathtë po bie edhe në Suharekë, në qytetin e Ukë Bytyqit. Suhareka e Ukës po na ko firmon se ajo mbetet rugoviste siç kishte qenë çdo herë. Suhareka juaj qenka ngritur në këmbë për ta bërë ndryshimin”, ka thënë Abdixhiku.
“Rruga e Re, ka 120 projekte, ka 5 miliardë euro investime, ka 5 miliardë euro buxhet, ka 5% rritje ekonomike. Aty ku na ndjellin frikën prej Serbisë, ne, të djathtit e Kosovës, qytetarët e lirë të Republikës së Kosovës, pasardhësit politik të Ibrahim Rugovës, kemi krenarinë”, ka deklaruar Abdixhiku.
Abdixhiku premtoi mësim të plotë ditor për nxënësit kosovarë, shujta të ngrohta, kushte moderne në shkolla dhe ndërtimin e një spitali të ri me kushte moderne dhe sigurime shëndetësore.
“Aty ku ata kanë ofruar radhë të gjata për blerjen e librave, ne kemi mësim gjithë ditor për fëmijët kosovarë, shpresën e ardhme të këtij vendi. Shujta të ngrohta, 8 orë në shkollë, fëmijë të dijshëm e të shëndoshë. Aty ku ata kanë ofruar meremetime klinikash e lyerje sallash, ne kemi ndërtimin e Spitalit të Ri në Kosovë. Kushte moderne nga shekulli i ri, përkujdesje me sigurime shëndetësore e me digjitalizim. Aty ku ata kanë vështruar rritjen e çmimeve e sfidën e përballueshmërisë, ne kemi ofruar paga të larta e të ardhura me dinjitet. Koeficienti 150, që në javën e parë të qeverisë së re, për shërbyesit civil, është zotimi ynë i parë – është vendimi ynë i parë! Një javë, 150!”, ka shtuar Abdixhiku.
Sa i përket sfidave energjetike, ai paralajmëroi ndërtimin e një centrali me gaz për të garantuar furnizim të qëndrueshëm me energji.
Në aspektin politik, Abdixhiku theksoi se LDK-ja dhe qytetarët e Kosovës mbeten të guximshëm përballë Serbisë.
“Aty ku shtrenjtimi i energjisë elektrike s’ka fund, ne kemi plan për Central me Gaz, për stabilitet furnizimi, për një ekonomi të sigurt me partnerë! Rruga e Re, ka 120 projekte, ka 5 miliardë euro investime, ka 5 miliardë euro buxhet, ka 5% rritje ekonomike.
Aty ku na ndjellin frikën prej Serbisë, ne, të djathtit e Kosovës, qytetarët e lirë të Republikës së Kosovës, pasardhësit politik të Ibrahim Rugovës, kemi krenarinë. E kemi mundur Serbinë një herë – do ta mundim përherë“, tha ai.
© SYRI.net