Ka nisur seanca ndaj tre të akuzuarve Naim Murseli, Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe Tomë Dodaj për vrasjen e Liridona Ademaj.
Para Gjykatës janë hapur video-incizimet, të cilat janë dërguar si provë tek avokatët pasi mbrojtësi i Kushtrim Kokallës, Ndrecë Dodaj, pretendoi se nuk i hapeshin, derisa gjykata vërtetojë të kundërtën.
“Kam marrë një shkresë nga mbrojtësi Ndrecë Dodaj, që mbron Kushtrim Kokallën, i cili ka thënë që CD-të që i janë dorëzuar nuk hapen. Me një fjali thotë se ‘nuk mund të deklarohemi’. Prandaj, për këtë si kryetare e trupit gjykues, e kam njoftuar prokuroren e shtetit, lidhur me këtë shqetësim. Sot në mëngjes i kam provuar ato CD-të, të njëjtat që na janë dorëzuar edhe neve në gjykatë, ato hapen, për më tepër janë pjesë e enternal diskut, që i janë dorëzuar mbrojtjes”.
Gjatë kësaj seance Shemsedin Piraj, avokati i Naim Murselit është dënuar me 500 euro gjobë për prishje të qetësisë në seancë.
Të akuzuarve iu është lexuar aktakuza për të cilën ngarkohen dhe të njëjtit kanë thënë se e kanë kuptuar.
Naim Murseli është deklaruar i pafajshëm, Granit Plava është mbrojte në heshtje, ndërsa Kushtrim Kokalla nuk është deklaruar.
Ndërsa, fajësinë e ka pranuar Tomë Dodaj.
Kurse, Gjykata thotë se për veprën penale të Naim Murselit, sipas nenit 173 “Vrasje e rëndë”, parashihet dënimi minimal 10 vite ose burgim i përjetshëm.
Seanca e parë për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 27 janar 2025 kishte dështuar të mbahet për shkak se mbrojtja e të akuzuarve nuk ishte pajisur me të gjitha shkresat e lëndës.
Arsyeja e shtyrjes se seancës është për shkak se avokatët e dy prej të akuzuarve Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj kanë thënë se nuk i kanë pasur me kohë shkresat.
Të akuzuar për vrasjen e 30-vjeçares janë ish-bashkëshorti Naim Murseli, Granit Plava, Kreshnik Kokalla, dhe Tom Dodaj.
Më 15 janar të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se kishte ngritur aktakuzë për vrasjen e Liridona Ademaj.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
© SYRI.net