Klubi irlandez Larne ka reaguar zyrtarisht pas incidentit të ndodhur në ndeshjen ndaj Crvena Zvezdës, e vlefshme për kualifikueset e Ligës së Kampionëve, ku në tribunat e stadiumit u shfaq një baner me mesazhin politik “Kosova është Serbi”.
Përmes një deklarate, drejtuesit e klubit sqaruan se sapo baneri u vu re gjatë pjesës së parë të takimit, stafi i sigurisë ndërhyri menjëherë për ta hequr nga tribuna.
“Larne FC është në dijeni të fotografisë që po qarkullon nga ndeshja e mbrëmshme e Ligës së Kampionëve kundër Crvena Zvezdës në ‘Inver Park’. Gjatë pjesës së parë u shfaq një flamur me përmbajtje politike mbi tabelat reklamuese në tribunën McKay dhe, sapo u konstatua, personeli i sigurisë ndërhyri menjëherë për ta larguar”, thuhet në reagimin e klubit.
Larne thekson se incidenti nuk duhet të errësojë një mbrëmje historike për klubin dhe qytetin, që mirëpriti një kundërshtar me emrin dhe traditën e Crvena Zvezdës.
“Ky moment nuk duhet të zbehet nga veprimi i një individi të vetëm, i cili nuk është tifoz i Larne FC dhe ndodhej në tribunën vendase si spektator neutral”, vijon deklarata.
Në fund, klubi irlandez ritheksoi qëndrimin e tij të prerë ndaj çdo mesazhi politik në stadiume.
“Si klub, dëshirojmë të theksojmë edhe një herë se simbolet dhe shfaqjet politike nuk kanë vend në futboll”, përfundon njoftimi i Larne-s.
Club Statement: FK Crvena Zvezda (H)
— Larne Football Club (C) 🏆 (@larnefc) July 22, 2026
↪️ https://t.co/X28NjiLkw2#HarbourBorn #MakingWaves pic.twitter.com/7j33Hd19tc
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: