Mbrojtësi i kombëtares së Kosovës, Mërgim Vojvoda, i ka dhënë fund aventurës së tij te Como, duke u transferuar zyrtarisht te Udinese, ku do të luajë në sezonin 2026/27.
Pas një viti e gjysmë me fanellën e Comos, Vojvoda publikoi një mesazh emocionues në rrjetet sociale për të falënderuar klubin dhe tifozët.
“Familje, nuk di si t’ju falënderoj! Është nder për mua që kam veshur fanellën tuaj dhe që kam shkruar histori së bashku me ju për këtë klub. Kam qenë vërtet i lumtur këtu dhe kjo nuk ka çmim”, shkroi futbollisti kosovar.
Ai falënderoi bashkëlojtarët, presidentin Mirwan Suwarso, trajnerin Cesc Fàbregas, stafin teknik, punonjësit e klubit dhe tifozët për mbështetjen e vazhdueshme.
“Faleminderit për dashurinë dhe përkrahjen. Ju uroj gjithë të mirat, familja ime. Juaji, numri 31”, përfundoi Vojvoda.
Ndërkohë, Udinese konfirmoi transferimin e mbrojtësit nëpërmjet një komunikate zyrtare. Klubi friulan bëri të ditur se Vojvoda është blerë përfundimisht nga Como dhe ka firmosur një kontratë deri më 30 qershor 2028, me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër.
Edhe Como i kushtoi një mesazh lamtumire 30-vjeçarit. Klubi kujtoi se Vojvoda, i ardhur në janar të vitit 2025, zhvilloi 45 ndeshje, shënoi 3 gola dhe dhuroi 5 asistime në Serie A dhe Kupën e Italisë. Si zëvendëskapiten, ai kontribuoi ndjeshëm në arritjen historike të klubit, duke siguruar për herë të parë kualifikimin në Ligën e Kampionëve në maj të vitit 2026.
Como e falënderoi Vojvodën për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e tij, duke i uruar suksese në kapitullin e ri të karrierës me fanellën e Udineses.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: