Futbolli është në zi. Kevin Keegan, një prej ikonave më të mëdha të futbollit anglez, ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare pas një beteje me kancerin në fazën e katërt. Lajmi u raportua fillimisht nga mediet angleze dhe më pas u konfirmua zyrtarisht nga familja e tij.
“Me trishtim të madh njoftojmë ndarjen nga jeta të Kevin Keegan në moshën 75-vjeçare. Ish-futbollisti dhe trajneri i Kombëtares së Anglisë luftoi me sëmundjen dhe në momentet e fundit të jetës ishte i rrethuar nga bashkëshortja dhe vajzat e tij”, thuhej në deklaratën e familjes.
Keegan kishte bërë të ditur vetëm shtatë javë më parë se vuante nga një formë e rëndë e sëmundjes, por pavarësisht përpjekjeve, nuk arriti ta fitonte këtë betejë.
Ish-sulmuesi anglez mbetet një nga emrat më të mëdhenj të historisë së futbollit. Ai fitoi dy herë radhazi Topin e Artë, në vitet 1978 dhe 1979, një arritje që e vendosi në elitën e futbollit botëror.
Keegan shkroi historinë me fanellën e Liverpoolit, ku fitoi tre tituj kampion të Anglisë dhe Kupën UEFA. Ai shënoi mbi 100 gola për klubin “Reds” dhe u kthye në një nga figurat më të dashura të historisë së skuadrës.
Përveç karrierës së tij si lojtar, Keegan drejtoi edhe Kombëtaren e Anglisë si trajner, duke lënë gjurmë edhe në rolin e tij jashtë fushës.
Familja e tij e përshkroi si “një bashkëshort, baba dhe gjysh shumë të dashur”, ndërsa falënderoi ekipin mjekësor që e shoqëroi gjatë periudhës së sëmundjes për mbështetjen dhe kujdesin e jashtëzakonshëm.
Me largimin e Kevin Keegan, futbolli humbet një prej personaliteteve më të mëdha të historisë së tij.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: