Cristiano Ronaldo është bërë pjesë e një polemike në rrjetet sociale pas një veprimi të tij në Instagram që ka tërhequr vëmendjen e medieve dhe tifozëve.
‘Ylli’ portugez ka pëlqyer një video të emisionit spanjoll "Espejo Público" në televizionin Antena 3, ku moderatorja Pilar Rodríguez dhe komentatori Rubén Amón shprehnin kritika të forta ndaj Argjentinës dhe FIFA-s.
Në video, Rodríguez pretendon se Argjentina duhej të ishte eliminuar disa ndeshje më herët, duke shtuar se skuadra kishte përfituar nga mbështetja e FIFA-s.
“Argjentina duhej të ishte eliminuar prej pesë ndeshjesh, por me ndihmën e FIFA-s, që është një nga institucionet më të korruptuara në botë, arriti të vazhdonte rrugëtimin,” deklaron ajo.
Videoja është regjistruar përpara finales së Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës. Në të njëjtën analizë, moderatorja shprehet gjithashtu: “Unë nuk kam frikë nga Argjentina, por nga Infantino. Nuk do të luajmë vetëm kundër Argjentinës, por kundër gjithë FIFA-s, që dëshiron t’ia japë Kupën e Botës Messit, ashtu siç ndodhi katër vite më parë në Katar.”
Edhe komentatori Rubén Amón përdor tone të ashpra, duke e cilësuar FIFA-n si “një organizatë mafioze dhe e turpshme”.
Ajo që ndezi debatet ishte fakti se Cristiano Ronaldo vendosi një “like” në këtë video. Veprimi i tij u vu re menjëherë nga përdoruesit e rrjeteve sociale dhe u komentua gjerësisht, duke u interpretuar nga shumë tifozë si një sinjal mbështetjeje për kritikat e shprehura në video.
Megjithatë, Ronaldo nuk ka bërë asnjë deklaratë publike për të sqaruar arsyen e këtij pëlqimi dhe nuk ka komentuar mbi polemikat që janë krijuar pas këtij episodi.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: