Humbja ndaj Spanjës në finalen e Kupës së Botës ka lënë pasoja edhe në kampin e Argjentinës.
Pas mesazhit emocional të Lionel Messit, ka reaguar edhe Lautaro Martinez, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka shprehur zhgënjimin për mënyrën se si përfundoi turneu.
Sulmuesi i Interit falënderoi tifozët për mbështetjen e jashtëzakonshme gjatë gjithë Botërorit, duke theksuar se skuadra dha maksimumin për të mbrojtur titullin e fituar katër vite më parë.
"Ne dhamë gjithçka për të fituar një Kupë Bote të dytë radhazi, por këtë herë nuk ishte e shkruar. Jam shumë krenar që jam argjentinas", shkroi Lautaro.
Megjithatë, pjesa që ka bërë më shumë jehonë është mesazhi i tij i drejtuar, në mënyrë indirekte, trajnerit Lionel Scaloni.
Lautaro la të kuptohet se nuk ishte dakord me vendimin për të mos e aktivizuar në finalen ndaj Spanjës.
"Do të doja të përpiqesha ta ndihmoja ekipin në fushë, por s'ka gjë", ishte fraza që u interpretua si një thumbim ndaj teknikut argjentinas.
Deklarata e sulmuesit ka ndezur menjëherë debatet në Argjentinë, duke ngritur pikëpyetje për raportin mes tij dhe Scalonit pas finales së humbur.
Mbetet për t'u parë nëse trajneri do t'i përgjigjet publikisht këtyre deklaratave, ndërsa "Albiceleste" nis analizën e një Botërori që përfundoi me zhgënjim në ndeshjen vendimtare.
© SYRI.net