Egnatia ka barazuar 3-3 me Celjen në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve, në një sfidë ku kampionia e Shqipërisë gjeti golin e avantazhit, por nuk arriti ta ruante atë.
Rrogozhinasit e nisën më mirë takimin dhe kaluan në epërsi që në minutën e 7-të. Pas një goditjeje nga këndi, topi shkoi në zonë dhe Eneo Bitri u shfaq në vendin e duhur për të goditur me kokë, duke mposhtur portierin e Celjes dhe duke çuar Egnatian në avantazh 1-0.
Skuadra sllovene reagoi para fundit të pjesës së parë dhe arriti të barazonte në minutën e 45-të. Pas një tjetër goditjeje nga këndi, Svit Seslar harkoi në zonë dhe Mario Kvesic përfitoi nga pozicionimi i mirë, duke goditur saktë nga afër dhe duke vendosur shifrat në 1-1.
Në pjesën e dytë, Celje kaloi për herë të parë në avantazh. Në minutën e 54-t, Armandas Kucys mori një pasim të saktë brenda zonës nga Leonardo Koutris dhe me një goditje të qetë mposhti portierin e Egnatias për rezultatin 1-2.
Megjithatë, skuadra shqiptare nuk u dorëzua dhe reagoi shpejt. Në minutën e 58-të, Daniel Adjessa shërbeu Fernando Medeiros, i cili me një goditje të bukur në cepin e sipërm të portës riktheu baraspeshën në 2-2.
Në fundin e ndeshjes, Celje gjeti sërish avantazhin në minutën e 66-të me Mario Kvesic, i cili përfitoi nga një top i kthyer brenda zonës dhe shënoi për 2-3.
Por Egnatia arriti të shpëtonte një pikë në minutën e 78-të. Fernando Medeiros asistoi për Ibrahim Diabaten, goditja e të cilit u devijua dhe përfundoi në rrjetë, duke vulosur rezultatin final 3-3.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: