Dëshira e çuditshme e Donald Trump: Do Infantinon në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së

Dëshira e çuditshme e Donald Trump: Do Infantinon në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së

11:10, 22/07/2026

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, thuhet se dëshiron ta shohë presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Sipas raportimeve të New York Post, të cituara edhe nga media të tjera amerikane, Trump ka shprehur në biseda private bindjen se Infantino është personi i duhur për të drejtuar OKB-në. Ai e vlerëson zviceranin si një figurë me reputacion ndërkombëtar dhe me aftësi për të bashkuar vende e kultura të ndryshme.

Marrëdhënia mes Trump dhe Infantinos është afruar edhe më shumë gjatë organizimit të Kupës së Botës 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Një rol të rëndësishëm në promovimin e kësaj ideje ka luajtur Paolo Zampolli, mik i afërt i presidentit amerikan dhe ambasador i SHBA-së në OKB për partneritetet globale.

Sipas Zampollit, Infantino ka dëshmuar te FIFA se është i aftë të drejtojë një organizatë globale me 211 federata anëtare, përvojë që, sipas tij, mund të shërbejë edhe në krye të Kombeve të Bashkuara.

Megjithatë, rruga drejt këtij posti është e komplikuar. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së zgjidhet pas rekomandimit të Këshillit të Sigurimit dhe miratimit nga Asambleja e Përgjithshme. Mandati i António Guterres përfundon në fund të këtij viti, por deri tani nuk ka asnjë sinjal publik se Infantino synon të kandidojë.

Për më tepër, një kalim në OKB do të nënkuptonte edhe një sakrificë të madhe financiare. Sipas mediave amerikane, presidenti i FIFA-s përfiton rreth 6 milionë dollarë në vit, ndërsa paga e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së është rreth 418 mijë dollarë në vit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco