Pronari i Milanit, Gerry Cardinale, ka prezantuar vizionin e ri të klubit gjatë konferencës për shtypin së bashku me trajnerin e ri Ruben Amorim. Për herë të parë që nga marrja e drejtimit të klubit, biznesmeni amerikan doli në plan të parë, duke treguar se dëshiron të jetë më pranë skuadrës dhe projektit sportiv.
Cardinale u shpreh se pas muajsh pune dhe takimesh me drejtues e bashkëpunëtorë, Milani ka nisur një kapitull të ri me synimin për ta rikthyer klubin në lavdinë e dikurshme.
“Për mua është kënaqësi të jem këtu. Për herë të parë, që kur jam pronar i Milanit, vendosa t’i kushtoj më shumë kohë klubit. Kemi zhvilluar gjashtë muaj takime pune, ku kam njohur njerëz të jashtëzakonshëm. Objektivi ynë është i qartë: ta rikthejmë Milanin në madhështinë që i takon”, deklaroi Cardinale.
Pronari i kuqezinjve theksoi se filozofia e klubit nuk do të jetë të luajë për të mos humbur, por për të fituar, duke premtuar një futboll sulmues dhe spektakolar.
“Ne luajmë për të fituar, jo për të mos humbur. Ky është stili ynë: futboll sulmues, emocionues dhe argëtues. Dua të krijojmë një kulturë të re te Milani dhe, së bashku me ekipin tim, kemi punuar për ta bërë këtë. Ruben Amorim është gurthemeli i këtij projekti të ri”, u shpreh ai.
Cardinale shtoi se organizimi i klubit do të jetë baza e suksesit dhe se lëvizjet e ardhshme në merkato do të tregojnë qartë ambiciet e Milanit.
“Operacionet që do të bëjmë do të flasin vetë. Jemi shumë të lumtur që e nisim këtë rrugëtim me Ruben Amorimin”, përfundoi pronari i klubit kuqezi.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: