Marc-André ter Stegen po sheh ëndrrën e tij për të qenë titullar në Botërori 2026 të shpërbëhet për shkak të lëndimeve. Pas 15 vjet dominimi të Manuel Neuer-it në portën e Gjermanisë, Euro 2024 dukej se hapte një epokë të re dhe portieri i Barcelonës ishte kandidat natyral për të marrë stafetën. Ishte momenti i tij dhe aspirata më e madhe.
Por skenari ndryshoi. Ter Stegen humbi vendin e titullarit te Barcelona pas ardhjes së Joan García-s dhe kërkoi minuta në merkato dimërore përmes huazimit te Girona. Aty luajti vetëm dy ndeshje dhe pësoi një tjetër lëndim.
Trajneri i kombëtares, Julian Nagelsmann, i cili foli me Hansi Flick-un para publikimit të listës, konfirmoi se Ter Stegen do të mbetet titullar në Ligën e Kombeve, por nuk fshehu dramatikën e situatës.
“Është pa dyshim një situatë jashtëzakonisht tragjike për Marc-un, tani do të kishte qenë radha e tij. Është e frikshme që diçka kaq dramatike ndodh nga një veprim kaq i thjeshtë si një pasim normal,” deklaroi Nagelsmann për Kicker.
Ai shtoi se dera nuk është mbyllur plotësisht, por koha është e ngushtë: “Lista nuk është krejtësisht e mbyllur, por nuk ka dyshim se gjithçka do të jetë shumë e vështirë, sepse duhet të llogaritet jo vetëm kohëzgjatja e fundit e pushimit, por edhe periudha më parë. Ai ka luajtur jashtëzakonisht pak gjatë një viti”.
Problemet fizike të Ter Stegen-it nuk janë të fundit. Ai pësoi një këputje të tendinës në këmbën e majtë gjatë ndeshjes së dytë me Girona-n, duke vijuar një seri të vështirë dëmtimesh: në shtator 2024 këputi tendinën patelare të gjurit të djathtë, ndërsa në 2025 një dhimbje e shpinës e çoi sërish në operacion.
Në prill ai do të mbushë 34 vjeç dhe ka grumbulluar 44 paraqitje me kombëtaren. Gjithmonë ka ëndërruar të jetë titullar për Gjermaninë në një Botëror ose Europian. Tërheqja vullnetare e Neuer-it i kishte hapur dyert, por tani, me kohën që po ikën drejt verës dhe Oliver Baumann i Hoffenheim-it, që duket si alternativë për turneun e madh, ëndrra e Ter Stegen mbetet e pezulluar.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: