Ka ardhur një lajm inkurajues për organizatorët dhe tifozët para ndeshjes mes Francës dhe Irakut në Kupën e Botës 2026.
Sipas meteorologut francez Guillaume Séchet, stuhia kryesore që kërcënonte zhvillimin e takimit në Filadelfia tashmë ka kaluar. Megjithatë, ai paralajmëroi se rreziku nuk ka përfunduar plotësisht.
“Stuhia kryesore ka kaluar, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të ketë stuhi të tjera më vonë. Për momentin nuk ka qeliza të tjera stuhish pas frontit aktual. Shpresojmë që kjo të ketë qenë stuhia e vetme e mbrëmjes, por do të habitesha nëse nuk do të formoheshin të tjera në rajon. Gjithsesi, pritet një qetësi atmosferike prej të paktën dy orësh”, deklaroi Séchet.
Më herët gjatë ditës, autoritetet evakuuan stadiumin si masë sigurie për shkak të paralajmërimeve për mot të keq dhe reshje të dendura, duke ngritur dyshime mbi zhvillimin normal të ndeshjes.
Në aspektin sportiv, Franca vjen pas fitores 3-1 ndaj Senegalit dhe një sukses ndaj Irakut do t’i siguronte kualifikimin në fazën e 1/16-ave të Botërorit. Trajneri Didier Deschamps pritet të bëjë tri ndryshime në formacion, duke aktivizuar nga minuta e parë Lucas Digne, Bradley Barcola dhe Manu Koné.
Për momentin, gjithçka tregon se sfida do të zhvillohet sipas programit, por organizatorët vazhdojnë të monitorojnë me kujdes kushtet atmosferike në zonën e Filadelfias.
© SYRI.net