Argjentina siguroi kualifikimin në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës 2026, pasi mposhti me rezultatin 2-0 Austrinë në ndeshjen e dytë të Grupit J.
Njeriu i ndeshjes ishte sërish i zakonshmi Lionel Messi, i cili realizoi të dy golat e takimit dhe shkroi një tjetër kapitull historik në karrierën e tij të jashtëzakonshme.
Kapiteni argjentinas kaloi ekipin e tij në avantazh në minutën e 38-të. Pas një topi të kthyer nga Facundo Medina në kufirin e zonës, Messi goditi me saktësi drejt këndit të poshtëm të majtë, duke mposhtur portierin Alexander Schlager për rezultatin 1-0.
Megjithatë, ndeshja mund të kishte marrë tjetër rrjedhë që në fillim. Në minutën e 8-të, pas ndërhyrjes së VAR-it për një faull ndaj Lautaro Martínez në zonë, Argjentina fitoi një penallti. Messi mori përsipër ekzekutimin, por goditja e tij përfundoi ngushtë jashtë shtyllës së djathtë.
Ylli argjentinas vazhdoi të ishte kërcënimi kryesor për mbrojtjen austriake. Në minutën e 32-të ai krijoi një rast të artë për Enzo Fernándezen dhe më pas provoi vetë nga rikthimi i topit, por Schlager reagoi shkëlqyeshëm.
Austria pati mundësinë më të mirë për të barazuar në minutën e 55-të, kur Marcel Sabitzer ekzekutoi një goditje dënimi të rrezikshme, por Emiliano Martínez realizoi një pritje vendimtare.
Në minutën e 73-të, Messi ishte pranë një asistimi, kur nga një goditje këndi gjeti Nicolás Gonzálezin, por tentativa e këtij të fundit kaloi fare pranë shtyllës.
Kur dukej se sfida do të mbyllej me një gol diferencë, Messi goditi sërish. Në minutën e pestë shtesë të kohës së rregullt, ai përfitoi nga një top i kthyer brenda zonës dhe e dërgoi me forcë në rrjetë, duke vulosur fitoren 2-0.
Me këtë dopietë, “Pleshti” arriti në kuotën e 18 golave në historinë e Kupave të Botës, duke u shkëputur edhe më shumë në krye të renditjes së golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave në Botëror dhe duke lënë pas legjendën gjermane Miroslav Klose.
Një mbrëmje tjetër magjike për Messin dhe Argjentinën, që tashmë festojnë kualifikimin e parakohshëm në fazën me eliminim direkt.

© SYRI.net