Ndeshjet e Kupës së Botës 2026 mes Francës dhe Irakut, si dhe ajo ndërmjet Norvegjisë dhe Senegalit, rrezikojnë të shtyhen ose madje të ndërpriten për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike në Shtetet e Bashkuara.
Sipas raportimeve nga mediet britanike, autoritetet kanë lëshuar paralajmërime për stuhi të forta dhe reshje intensive shiu në zonën e Filadelfias, ku Franca do të përballet me Irakun.
Vetëm pak orë para fillimit të ndeshjes, stadiumi në Filadelfia u evakuua si masë paraprake sigurie. Një njoftim përmes sistemit të altoparlantëve u kërkoi punonjësve dhe stafit të stadiumit të largoheshin nga zonat e hapura dhe të strehoheshin në ambiente të sigurta për shkak të afrimit të stuhisë.
Në ekranet gjigante të stadiumit u shfaqën mesazhe paralajmëruese ku theksohej se një stuhi e fortë po afrohej dhe se të gjithë duhej të ndiqnin udhëzimet e personelit të stadiumit.
Në momentin e evakuimit nuk kishte tifozë në tribunat e arenës, por stjuardët dhe punonjësit e tjerë u larguan menjëherë nga zonat e ekspozuara.
Deri tani, asnjë nga ndeshjet e Botërorit 2026 nuk është shtyrë për shkak të motit, por organizatorët po monitorojnë me kujdes situatën. Më herët, një miqësore e Anglisë kundër Kosta Rikës ishte vonuar për shkak të një stuhie në Florida.
Shqetësime ekzistojnë edhe për ndeshjen mes Norvegjisë dhe Senegalit në Nju Jork. Stuhia pritet të prekë edhe atë zonë, duke ngritur pikëpyetje mbi zhvillimin normal të takimit.
Organizatorët dhe FIFA po ndjekin nga afër zhvillimet meteorologjike, ndërsa tifozët presin me ankth të mësojnë nëse ndeshjet do të zhvillohen sipas planit apo do të ketë ndryshime në program.
© SYRI.net