Pedri ka humbur edhe një seancë tjetër stërvitore me Barcelonën, duke shtyrë edhe më tej rikthimin e tij në fushë. Sipas raportimeve të gazetarit Carlos Monfort, i cili ndoqi nga afër stërvitjen e sotme të katalanasve, mesfushori nuk arriti të rikuperohej në kohë ndërsa skuadra e Hansi Flick po përgatitet për sfidën e fundjavës ndaj Athletic Club.
‘Ylli’ spanjoll po vuan nga një problem muskulor që prej ‘El Clásico’-s së fundit në fund të tetorit, dhe pavarësisht se gjendja e tij fizike po përmirësohet gradualisht, ai ende nuk është gati për t’u bashkuar me skuadrën në stërvitje të plotë.
Megjithatë, brenda klubit mbizotëron optimizmi se Pedri do të arrijë të rikthehet në formë dhe të jetë pjesë e Barcelonës në udhëtimin e rëndësishëm ndaj Chelsea-t në fund të nëntorit.
Katalanasit kanë zhvilluar dy ndeshje pa Pedrin, duke regjistruar një fitore dhe një barazim. Përkundër rezultateve pozitive, është e qartë se Barça është gjithmonë më e fortë me Pedrin në fushë, falë kreativitetit, kontrollit të mesfushës dhe ndikimit të tij në lojën sulmuese.
Trajneri Hansi Flick shpreson ta ketë sërish në dispozicion sa më shpejt, duke qenë se periudha e ardhshme do të jetë vendimtare për objektivat sezonalë të Barcelonës.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: