Salvador Kaçaj shpërthen kundër Sylvinho-s: Nuk është në nivelin e Kombëtares, i mungon guximi

Salvador Kaçaj shpërthen kundër Sylvinho-s: Nuk është në nivelin e Kombëtares, i mungon guximi

11:06, 17/11/2025

Ish-futbollisti i Kombëtares, Salvador Kaçaj, ka bërë deklarata të forta në emisionin “Kafqe Shqeto” të gazetarit Flavio Qarri, ku ka vënë në pikëpyetje zgjedhjet teknike dhe aftësinë e trajnerit Sylvinho për të drejtuar Shqipërinë në nivelet më të larta. Sipas Kaçajt, kuqezinjtë kanë potencial të madh dhe kundërshtarë të kalueshëm në play-off, por mungesa e guximit nga stoli është bërë pengesa më e madhe.

“I kemi mundësitë dhe çdo gjë është e hapur. Hungarinë dhe Poloninë i kemi mundur më parë, janë ekipe në nivelin tonë, madje mendoj se ne jemi rritur,” u shpreh fillimisht Kaçaj. Megjithatë, sipas tij, problemi kryesor qëndron te trajneri aktual:

“Në bindjen time, Sylvinho nuk është në nivelin e Kombëtares sonë. Nuk e ka kapacitetin për të qenë trajner i Shqipërisë.”

Pavarësisht kritikave, Kaçaj pranoi se në këtë fazë ndryshimi i trajnerit nuk është i mundur dhe kuqezinjtë do të duhet të hyjnë me Sylvinhon në dy ndeshjet e play-off-it:

“Shpresoj që me 20 nëntor të kemi fat, sepse është edhe çështje fati.”

Ai solli një shembull taktik që e ka shqetësuar prej kohësh:

“Në Serbi guxoi dhe luajti me tre sulmues. Pse nuk guxoi në Andorrë, në ndeshjen e jetës sonë? Fitorja na çonte në këtë pozicion. Kjo tregon se trajneri nuk merr iniciativë.”

Kaçaj theksoi se në disa sfida fati ka qenë në anën e Shqipërisë, madje edhe kundër Serbisë:

“Serbët humbën raste flagrante, ne patëm një dhe e shënuam. Kombëtarja ka pasur Zotin dhe fatin me vete.”

Megjithatë, sipas tij, tanimë duhet parë përpara:

“Lojtarët duhet t’i harrojnë këto dhe të mendojnë vetëm për play-off-in. Fanella kuqezi ka peshë të rëndë dhe duhet përfaqësuar me dinjitet.”

Ish-mesfushori ngre edhe çështjen e mosaktivizimit të disa futbollistëve që sipas tij meritojnë më shumë hapësirë:

“Kemi një vit e gjysmë që nuk e kemi futur Arbër Hoxhën në lojë, dhe dje ai bëri diferencën. Ka lojtarë si Muçi dhe të tjerë që nuk grumbullohen fare. Duhet t’u jepet mundësia.”

Në fund, Kaçaj theksoi se kritikat nuk duhet të shpërqendrojnë skuadrën tani, por thelbi i mesazhit të tij ishte i qartë: Shqipëria ka potencial, por i duhet më shumë guxim nga trajneri për ta shfrytëzuar.

“I kemi mundësitë, çdo gjë është e hapur. Këto ekipe që kemi përballë në play off, edhe i kemi mundur kur kemi luajtur. Kemi mundur Hungarinë, kemi mundur Poloninë. Janë ekipe që, pak a shumë, në nivelin e kombëtares tonë janë, por ne jemi rritur.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco