Erling Haaland vazhdon të shkruajë histori me Norvegjinë, teksa sulmuesi i Manchester City-t ka barazuar një rekord ndërkombëtar të FIFA-s që kishte mbetur i paprekur për më shumë se 60 vite.
Kualifikimi për Kupën e Botës 2026 dhe fitorja e thellë kundër Italisë nuk ishin të vetmet arsye për festë. Gjiganti nordik arriti në 11 ndeshje radhazi me gol për kombëtaren norvegjeze, duke barazuar shifrën e vendosur nga malajziani Abdul Ghani Minhat mes viteve 1961 dhe 1962, një rekord i konfirmuar nga IFFHS.
Seria e jashtëzakonshme e Haaland-it nisi më 14 nëntor 2024, kur ai gjeti rrugën e rrjetës në fitoren 4-1 ndaj Sllovenisë, në Ligën e Kombeve. Që prej asaj dite, Norvegjia ka fituar thuajse çdo ndeshje, me përjashtim të një miqësoreje ndaj Zelandës së Re (1-1), ku Haaland nuk ishte i pranishëm.
Rekordi historik vë në qendër të vëmendjes krahasimet me dy ikonat e futbollit botëror. Cristiano Ronaldo, me fanellën e Portugalisë, ka arritur maksimumi në gjashtë ndeshje radhazi me gol, një ecuri që e ka realizuar dy herë, e fundit në vitin 2019. Ndërsa Lionel Messi ka pasur një seri edhe më të gjatë, me tetë ndeshje radhazi duke shënuar për Argjentinën mes dhjetorit 2022 dhe shtatorit 2023.
Interesant mbetet fakti se Messi ishte një hap larg një rekordi madhështor: po të kishte shënuar kundër Polonisë në Botërorin 2022, ndeshje ku madje humbi një penallti, ai do të kishte arritur në 15 ndeshje radhazi me gol.
Ndërkohë, Haaland është tani në prag të tejkalimit të një prej rekordeve më të vjetra në futbollin ndërkombëtar, duke treguar edhe një herë se është një fenomen i kohëve moderne. Norvegjezët shpresojnë që kjo seri të vazhdojë edhe në Botërorin e vitit 2026.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: