Debutoi me humbje në stolin e Serbisë, por Paunović pret rinovimin

Debutoi me humbje në stolin e Serbisë, por Paunović pret rinovimin

17:11, 14/11/2025

Veljko Paunović e nisi mbrëmë aventurën e tij si trajner i ri i Kombëtares së Serbisë me një humbje 2-0 ndaj Anglisë në “Wembley”. Pavarësisht rezultatit negativ, “Shqiponjat” lanë një përshtypje shumë më të mirë në krahasim me disa paraqitje të dobëta gjatë kualifikueseve të Botërorit, të cilat u mbyllën pa sukses. Megjithatë, duket se Federata Serbe e Futbollit (FSS) po mendon për të ardhmen në mënyrë afatgjatë, siç raportojnë sot mediet serbe.

FSS është gati t’i ofrojë Paunovićit një kontratë të vlefshme deri në vitin 2030. Mësohet se detajet kryesore mes trajnerit dhe sekretarit të përgjithshëm të Federatës, Branko Radujko, janë dakordësuar që para se Paunović të merrte zyrtarisht drejtimin e ekipit dhe se firmosja pritet të ndodhë shumë shpejt.

Federata synon t’i japë Paunovićit edhe kompetenca më të gjera në sektorin sportiv, përfshirë drejtimin e drejtpërdrejtë të punës së Kombëtares Shpresave, e cila shihet si bazë për ndërtimin e lojtarëve të së ardhmes për ekipin A.

Nëse Paunović firmos deri në vitin 2030, ai ka gjasa reale të thyejë rekordin e ish-trajnerit Dragan Stojković “Piksi”, i cili mban aktualisht numrin më të madh të ndeshjeve në stolin e Serbisë: 55 takime.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco