Lamtumirë Andrea de Adamich! Ndahet nga jeta ish-politi dhe komentatori i Formulës 1

Lamtumirë Andrea de Adamich! Ndahet nga jeta ish-politi dhe komentatori i Formulës 1

10:20, 05/11/2025

Bota e sporteve motoristike është në zi pas ndarjes nga jeta të Andrea de Adamich, ish-pilot i Formulës 1 dhe një prej figurave më të njohura televizive në Itali për botën e automobilizmit. Ai u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur si garues, komentator dhe ambasador i kulturës së garave.

Karriera e de Adamich nisi në vitin 1962 dhe mori hov të madh në mesin e viteve ’60, kur pas titullit italian të Formula 3 në vitin 1965, ai u angazhua nga Alfa Romeo. Me markën legjendare italiane fitoi dy kampionate radhazi të Turizmit Europian (1966-67), duke u dalluar me modelin Alfa Giulia GTA.

Rruga e tij e çoi më pas në Formula 1, ku garoi për pesë sezone që nga viti 1968. De Adamich pati mundësinë të pilotonte për disa prej skuadrave më prestigjioze të botës, si Ferrari, McLaren, March, Surtees dhe Brabham. Paralelisht me F1, ai konkurroi edhe në Kampionatin Botëror të Prototipeve, ku arriti dy fitore të rëndësishme me Alfa Romeon.

Pas tërheqjes nga aktiviteti sportiv në vitin 1974, Andrea de Adamich u shndërrua në një figurë të dashur për publikun televiziv. Nga viti 1978 deri në 2009, ai ishte komentator dhe analist i motorëve në Mediaset, duke bërë histori së bashku me kolegun Guido Schittone. Ekspertiza dhe eleganca e tij në transmetim e bënë një referencë të padiskutueshme për pasionantët e garave.

Në vitin 1991, ai themeloi “Centro Internazionale Guida Sicura”, një institucion të njohur trajnimi në fushën e sigurisë rrugore, duke vazhduar lidhjen e tij të përjetshme me Alfa Romeon. Për kontributet e tij të jashtëzakonshme në sport dhe komunikim, më 2 qershor 2022 ai u nderua me titullin ‘Commendatore dell’Ordine al Merito della Repubblica Italiana’.

Me humbjen e Andrea de Adamich, sporti i automobilizmit dhe media italiane i japin lamtumirë një personaliteti të veçantë, një pionier që i dha shumë pasion, profesionalizëm dhe histori këtij sporti elitar. Ai mbetet një figurë e paharrueshme për brezat që e ndoqën në pistë dhe para ekranit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco