Luciano Spalletti, trajner aktual i Juventusit, u rikthye në Champions League me një barazim 1-1 ndaj Sporting Lisbonës, rezultat që e kishte shoqëruar edhe në largimin e tij të fundit nga kjo garë, në kohën kur drejtonte Napolin ndaj Milanit në vitin 2023. Debutimi në arenën europiane me bardhezinjtë nuk ishte fitorja që ai e kishte imagjinuar, por tekniku italian u shfaq i kënaqur me atë që skuadra e tij tregoi në fushë.
“Sportingu është një ekip shumë i fortë dhe luan një futboll ofensiv. Ne patëm një fillim të vështirë, por pastaj pati një reagim të shkëlqyer. Madje meritonim edhe të kalonim në avantazh,” deklaroi Spalletti pas ndeshjes. Sipas tij, Juventusi bëri një paraqitje të mirë, pavarësisht disa gabimeve në pasime dhe daljes nga presioni: “Humbëm disa topa dhe nuk ishim gjithmonë të pastër në vendimmarrje, por skuadra bëri një ndeshje të madhe.”
Tekniku italian theksoi se beson shumë te potenciali i lojtarëve të tij dhe se koha do të punojë në favor të Juventusit: “Kemi futbollistë të fortë dhe e treguan. Duhet të përmirësohemi në manovër, por kemi zgjidhjet e duhura. Nëse do të vazhdojmë me këtë shpirt, do të fitojmë shumë.”
Spalletti vlerësoi edhe atmosferën në “Allianz Stadium”, duke falënderuar tifozët për mbështetjen: “Ishte një mjedis fantastik, stadiumi plot i dha energji ekipit. Kemi bërë gjëra shumë të mira dhe me punë, së bashku, do të arrijmë kënaqësi të tjera.”
Bardhezinjtë ende nuk kanë një fitore në këtë fazë të Champions League dhe tani janë të detyruar të nisin rikthimin në ndeshjet e ardhshme për të siguruar kualifikimin në playoff. Spalletti, megjithatë, mbetet optimist: “E shoh gotën gjysmë plot.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: