‘Ylli’ i Manchester City-t dhe i kombëtares norvegjeze, Erling Haaland, ka marrë një vendim të pazakontë në moshën 25-vjeçare: në ndeshjet e ardhshme me Norvegjinë ai do të shfaqet me emrin “Braut Haaland” në fanellë, dhe jo thjesht me mbiemrin “Haaland”, siç ka ndodhur deri tani.
Ky ndryshim lidhet me një traditë të zakonshme në Norvegji, ku lojtarët përdorin mbiemrat e të dy prindërve. Në rastin e sulmuesit, “Braut” vjen nga e ëma, Gry Marita Braut, ndërsa “Haaland” nga i ati, ish-futbollisti Alf-Inge Haaland, që ka luajtur edhe me Manchester City-n mes viteve 2000-2003.
Haaland është prezantuar prej kohësh në rrjetet sociale si Erling Braut Haaland dhe me këtë emër u bë i njohur ndërkombëtarisht që në Botërorin U-20 të vitit 2019, kur shënoi nëntë gola në një ndeshje të vetme ndaj Hondurasit. Megjithatë, në klubet ku ka luajtur, Salzburg, Borussia Dortmund dhe Manchester City, ai ka zgjedhur gjithmonë të mbajë vetëm “Haaland”.
Trajneri i Norvegjisë, Stale Solbakken, u shpreh i habitur nga vendimi, por e minimizoi: “Është emri i tij, nuk është ndonjë gjë e komplikuar. Nuk dija asgjë deri tani.”
Norvegjia do të luajë më 4 shtator një miqësore kundër Finlandës dhe më pas, më 9 shtator, përballë Moldavisë në kualifikueset e Kupës së Botës 2026, ku renditet e para në grup me katër fitore në katër ndeshje. Haaland, tashmë “Braut Haaland”, mbetet lideri i sulmit dhe figura më e rëndësishme e kombëtares nordike.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: