Trajneri i Partizanit flet për sfidën kthimit me BATE Borisov: Ja çfarë duhet të bëjmë ndryshe!

Trajneri i Partizanit flet për sfidën kthimit me BATE Borisov: Ja çfarë duhet të bëjmë ndryshe!

20:17, 17/07/2023

Trajneri i Partizanit, Zoran Zekiç, mendon se ndeshja që të kuqtë luajnë nesër ndaj BATE Borisov, do të jetë krejtësisht ndryshe nga ajo që u luajt në “Air Albania”.

Sipas tij, skuadra duhet të përmirësohet në disa aspekte për të synuar një kualifikim që mbetet i hapur.

Pas barazimit 1–1 në ndeshjen e parë, si e konsideroni ndeshjen e kthimit ndaj BATE Borisov?

E kam përmendur edhe në përfundim të ndeshjes së parë në Tiranë, që ky rezultat lë çdo gjë të hapur përsa i përket kualifikimit në raundin e dytë. Kemi luajtur vetëm aktin e parë. Nesër do të jetë një tjetër ndeshje, duhet të kemi përqendrim maksimal dhe të fokusohemi të bëjmë ndeshjen tonë.

Tashmë e njihni kundërshtarin, sa janë shanset e Partizanit për kualifikim?

E theksova edhe më parë që nesër do të jetë krejtësisht një ndeshje tjetër. Ne duhet të bëjmë një ndeshje dhe një paraqitje akoma edhe më të mirë. Duhet të kemi më shumë karakter, më shumë energji dhe më shumë disiplinë.

Si është gjendja fizike e skuadrës?

Kemi disa probleme të vogla, asgjë problematike. Sot kemi edhe seancën e fundit dhe shpresoj që çdo gjë të shkojë mirë. Nesër besoj i gjithë grupi do të jetë i gatshëm.

Ndeshja nesër do të luhet pa tifozë, si e komentoni këtë fakt?

Nuk mund ta ndryshojmë këtë gjë. Askush nuk e dëshiron që një ndeshje futbolli të luhet pa publik dhe për këtë më vjen shumë keq. Do të jetë një situatë e njëjtë si për ne ashtu edhe për BATE Borisov. Ne duhet të përgatitemi të luajmë edhe në situata të tilla.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco