'Drejtësia e re' -  padrejtësia e re që po i bëhet Shqipërisë

'Drejtësia e re' - padrejtësia e re që po i bëhet Shqipërisë

Nga Ndriçim Kulla - 02/05/2024

Monarku ynë kryeministër ka shkaktuar shumë zhurmë këto ditët e fundit, duke lënë nam në sytë e botës me revoltën e tij autokrate, por të mbështjellë me mantelin e patriotizmit. Mirëpo duket se po lufton me mullinjtë e erës, pasi menjëherë media të tjera të mëdha botërore, e kanë etiketuar si Erdoganin e ri që po përdor drejtësinë për të sulmuar opozitën, po njëlloj si RAI 3, që e etiketonte kanakarin e perëndimit si njeriun që lëviz drejtësinë shqiptare.

Duket sikur llumi i korrupsionit të tij po shpërthen nëpër shumë media të ndryshme evropiane dhe amerikane, saqë atij i duhet të luftojë njëlloj në të njëjtën kohë si me tërbimin ndaj RAI , edhe me portalet belge, franceze etj, ndaj e këshillojmë të klonohet ose të prenotojë udhëtime përgjatë gjithë sezonit turistik për të marrë pjesë live nëpër to, se me shkrime e me letra, me administrate e rrugë ligjore atë e censurojnë.

“Ndërkombëtarë të vendeve perëndimore, ju bëjmë thirrje të jeni sa më vigjilentë dhe bashkëpunues, në luftën e tij për të mbrojtur nderin e vet përpara mediave gënjeshtare të vendeve tuaja perëndimore!”. E kemi dëgjuar shpesh fabulën tuaj të kësaj dekade në mbrojtje të skandaleve të pashembullta të këtij lloj kryeministri që i ka rënë për hise Shqipërisë: e mbrojmë në emër të stabilitetit.

Po tani çfarë do të thoni, a nuk ka dalë nga binarët e stabilitetit kanakari juaj, që i turret si kapobandë një emisioni, duke telefonuar deri dhe drejtorin e RAI 3?!

A keni ju sigurinë më të vogël nga turpërimi që shumë shpejt mund t’iu bëjë mediave tuaja, po qe se ato i zënë në gojë regjimin dhe drejtësinë e re?!

Një cinik do të më thoshte se ai di ku sulet. Kështu thamë kur iu turr gazetarit grek (Kathimerini), po njëlloj nën petkun e rremë të patriotizmit. Vetëm se steka e tij e marrëzisë u ngrit shumë me rastin e Italisë, tejkaloi madje dhe modelin e vet erdoganian, për të kaluar në nivelin lavrovian. 

Krijuat me të drejtë një digë për këtë autokraci të marrëzisë, krijuat SPAK-un e drejtësisë, që ne e brohoritëm në fillim, sepse na u servir si çelësi i luftës ndaj politikës dhe shpëtimit të Shqipërisë.

E keni kuptuar,  besoj shumë mirë, se çelësi i SPAK po hap vetëm dyert e dënimit të opozitës  pa gjyq , e cila ka 12 vjet e larguar nga pushteti dhe disa kokave të vogla të qeverisë pa rëndësi , por jo dy kokave më të mëdha të meduzës së realitetit të sotëm politik shqiptar: Edi Rama dhe Erion Veliaj. Ky i fundit ka fodullëkun edhe të na fyejë inteligjencën e të guxojë të relativizojë fletëthirrjet e  SPAK, duke i shitur në mënyra të rreme si vizita pune tek miqtë prokurorë. Duket se arroganca me shumë koka e pushtetit ka në dorë e përcakton edhe  rregullat se si duhet t’u pergjigjet protokolleve te drejtësisë.

Cili është ky njeriu-Veliaj që shkon e u jep dosje prokurorëve që e kanë thirrur të përgjigjet për skandalet e tij?!

Cilët kolegë ka ky njeriu-Veliaj te drejtësia e re, kur ka qenë i “stazhionuar” prej vitesh në bashki?!

Çfarë është ky ngatërrim pushtetesh, kapaidaillëku i orëve më të këqija të delirimit apo burracakëria e sulmeve të shpifura kundrejt të gjithë njerëzve që po i zbulojnë lakuriqësinë?

A nuk është akt ulëritës destabilizues për sistemin-vend shqiptar, britma gjoja fodulle e nr 2 të qeverisë shqiptare nga dyert e SPAK? Unë them se ndërgjegjja dhe logjika perëndimore këto sjellje të tij duhet ti trajtojë në gjithë rrezikshmërinë e vet.

Pse vallë ndërkombëtarët dhe të gjitha mediat e pushtetit heshtin për këtë skandal dhe bërtasin pa sens për flakadanët që hidhen te bashkia? Kjo arrogancë, kur ti je kapur me presh në duar në vjedhje flagrante qindra milionëshe, është destabilizimi më i madh që mund t’i bëhet Shqipërisë.

Pse vallë, a mund ta falë një popull ta vjedhësh, ta përçmosh e pastaj ta tallësh e në fund ta sfidosh nga dyert e SPAK? Kjo është drama më e madhe mosbesuese që po i shtohet drejtësisë.

Një nga tre apo  katër arsye  më themelore që njerëzit po ikin pa u ndjerë një nga një nga ky vend.  Drejtësia e re le të quhet më mirë padrejtësia e re që po i bëhet Shqipërisë, nëse nuk ka këllqe që ta marrë realisht  për veshi Veliajn pë t’iu përgjigjur një për një për të gjitha zullumet e tij dhe për të bërë vërtet barazi përpara ligjit, ashtu siç ndodh në të gjitha vendet perëndimore!

Stabilokracia e re që na e hiqni si shpëtim, le të quhet skllavëria jonë e re, po qe se kjo drejtësi nuk guxon të heqë maskën e arrogancës dhe të marrë në pyetje Edi Ramën për të gjitha akuzat  serioze që po i ngrihen për ditë që nga McGonigal deri tek skandalet më të pa imagjinueshme korruptive që po i shpërthejnë.

Arroganca e kësaj drejtësie  në sytë e popullit po bëhet barrë e rëndë për qasjen ndaj jush, po helmon shpirtra të drejtë e të pastër, patriotë e atdhetarë të vërtetë, që e duan Shqipërinë dhe perëndimin. Ky nivel i ri i lëngimit ku kemi arritur sa të ndihemi në pafuqinë tonë kundra padrejtësive të SPAK, si të pushtuar, si të skllavëruar për së gjalli, dhe në liri, duhet t'ju buçasë në veshë gjithë ndërkombëtarëve që e njohin shpirtin shqiptar. Sepse ata që e njohin këtë shpirt e dinë se me çfarë e barazon shqiptari pushtimin dhe skllavërinë dhe çfarë bën kundra tyre. Kushdo që nuk e di po ua kujtojmë: jep jetën.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco