Mitsotakis në ‘Stamboll’ e Rama në ‘Janinë’!

Mitsotakis në ‘Stamboll’ e Rama në ‘Janinë’!

Nga Basir Çollaku - 13/05/2024

Jani, Kristo, Kosta, Vangjeli, Antonio, Marko, Marie, Janulla, ata që janë Hasan, Bajram, Kapllan, Edvin, Mentor, Aishe, Sheqere, ishin dy palë burra e gra, denatyralizim i dhunshëm shqiptarësh, i pandodhur në asnjë shtet tjerër në planet, me një dalldi false patriotike, më tepër elektorale (truk për pazar të një plaku idhnak, djallëzor), ishin ajo çka solli Edi Rama, me zhvendosjen partiake në Athinë, në vrapin e rrezikshëm për vendin tonë.

Kjo ishte ajo çka solli Edi Rama, me zhvendosjen partiake në Athinë, në vrapin e rrezikshëm për vendin tonë.

Prodhuesi më i madh i emigrantëve, gatuesi i pakonkurueshëm i eksodit, më shumë se çdo pushtues, vajti të përdorë ndëshkimin e tij si sukses e akt emo-nacional.

Ky patrioti i thekur s’e zgrap dot një llaf për Çamërinë, historinë e përmbysur me gjenocid të saj, as për pronat, as për ligjin e luftës, as për shkollimin shqip, asgjë veç ujitjes së delirit personal, si një Ballkan i Hapur njëditor.

Asnjë kacidhe fjalë për Detin, marrëveshjen e Zonës Ekonomike, asnjë zukatje për Njohjen e Kosovës e mjaft hulli të vjetra e të reja, në tavolinën me dritëhije me fqinjët.

Mori një stadium, lëkundën flamujt sikur po çlironin veten nga pushtimi i mysafirit. Një foto e mirë e një fotografi të keq, pa qëllime të mira.

Kush fitoi nga kjo?! Sa më mirë jetojmë ne sot?

Sa e respekton ligjin më shumë Rama?

Sa ka hequr dorë nga vjedhja, pastrimi i parave, trafiku i drogës, investime banditësh?!

Sa, më afër BE-së?!

Sa, më larg privatizimit të ekonomisë për oborrin e tij?

Sa, më larg kapjes së çdo institucioni?!

Sa më e pavarur është sot drejtësia?

A do të ndalojë pagesa 80 mijë euroshe për djegësat?

A do të ulet nafta siç tregu real përcakton?

Iluzione! Asnjëra nuk ndërron!

Qeveritarë, bashkiakë, administratë, patronazhistë, aktivistë, i çoi në Greqi për turizëm 15-orësh.

Ata ishin diasporë njëpërdorimshme, se pas takimit, autobuzët i kthyen 90% të tubuesve në Shqipëri, me flamuj të ulur e emra të pandërruar.

Edhe ajo pakicë jetuese në dheun tej kufirit, e pranishme në sallë, është përzënë masivisht nga thinjoshi Rama me dhunë e plaçkitje, duke humbur shumëçka kishin. Batakçinjtë politikë, kur u vjen kiameti afër, turren te nacionalizmi. Bëjnë patriotin e vendit që kanë shkërmoqur po vetë.

Propaganda me barsaleta në mes të Athinës e në mes të Greqisë e në mes të botës, është dokrra hini, por jo peshë politike e shtuar.

Athina luajti “Odisenë”, mundësoi një “demokraci vaj” ndaj tekave të hallexhiut të Tiranës, rrethuar nga një pafundësi skandalesh; mori bonus elektoral në prag të zgjedhjeve evropiane pa investuar hiç; i shtoi “Beler”, aksionit të saj.

Rama e rrek të shfryjë gjynahet e gjenocidet korruptive, kriminale, abuzive, mafioze, të shpopullimit, drogëzimit, kafshimin të Shqipërisë nga ortakët banditë, duke shkumëzuar një ekskursion partiak me simbolikë kombëtare në Greqi. Kryeministri grek ishte në “Stamboll”- Ankara dhe Rama në Athinë.

I pandehuri tjetër Erion Veliaj, i braktisur nga axhenda e shefit, ishte turrur po dje në Venecia për bëma binjakëzim-investimesh.

Halle- halle kjo dynja e halli-hallit nuk i ngjan!

Dasma e madhështisë mbaroi, por të hënën në mëngjes, nusja ngjan se është prapë e virgjër njëlloj si të shtunën, natën para saj...

Hallet me shtet-shpartallimin ne i kemi në Tiranë e nuk i zgjidhim dot në Athinë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco