Kampionati i vajzave mbylli javën e dytë të tij, teksa u zhvilluan katër sfida që sollën emocione e prodhuan pa dyshim edhe lojë mjaft të bukur.
Në këtë javë të dytë, spikati derbi kryeqytetas Tirana – Kinostudio, që përfundoi me fitoren e ekipit bardheblu të drejtuar nga Aurora Seranaj, me shifrat 6-2.
Tirana kaloi e para në avantazh me Vishkullin në minutën e 27-të. Katër minuta para se të mbyllej pjesa e parë, Vishkulli dyfishoi rezultatin për bardheblutë, teksa një minutë më pas, Kinostudio fiton një penallti që ekzekutohet saktë nga Cyme Lulaj.
Në minutën e 44-t, Daniela Kodra gjen edhe njëherë rrjetën për Tiranën që mbyllin pjesën e parë me epërsinë 3-1.
Në fraksionin e dytë të lojës, Tirana realizon edhe tre gola të tjerë me Jehona Cokën, Vishkullin e Metallën, ndërsa edhe Kinostudio arrin të gjejë saktë edhe njëherë tjetër rrjetën bardheblu me Gashin.
Me fitoren 6-2, Tirana ngjitet në vendin e katërt, me tre pikë, teksa ka një ndeshje më pak në kampionat.
Ekipi tjetër i kryeqytetit, Partizani nuk ia doli të fitonte në shtëpi, duke u mundur nga Apolonia me rezultatin 0-2, me dy gola të shënuar nga Troka.
Fieraket vazhdojnë kështu ecurinë pozitive, duke u renditur në krye të klasifikimit me pikët e plota të marra në dy javë kampionat.
Sakaq, edhe Vllaznia arriti të triumfojë në Durrës ndaj Teutës, duke mundur vajzat e detit me rezultatin e thellë 0-6.
Katër gola mbajnë firmën e Megi Doçit në këtë sfidë, teksa rrjetën arriti ta gjejë edhe kapitenia Franja e Bashka.
Në sfidën tjetër të javës Lushnja – Skënderbeu, korçaret iu falën golit të Malavecit në minutën e 65-të që i dha tre pikët e para skuadrës së saj.
Ndërkaq, përballja mes Laçit e Kukësit do të zhvillohet në një moment të dytë që do të përcaktohet nga Departamenti i Garave në FSHF.
Rezultatet e javës së dytë:
Tirana-Kinostudio 6-2
Partizani-Apolonia 0-2
Teuta-Vllaznia 0-6
Lushnja-Skënderbeu 0-1
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: