Vendimet e gjykatës si letra që s’thuhet

Vendimet e gjykatës si letra që s’thuhet

Nga Lutfi Dervishi - 26/05/2024

Dy raste flagrante! Parlamenti shperfill vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Komisioni Pavarur i Kualifikimit nuk zbaton vendimin e Gjykatës Apelit administrativ për të bërë transparent emrin e një sponsori të një aktiviteti!

E pamendueshme! Njerëzit që vetojne faturat e prokurorëve dhe gjyqtarëve edhe të vitit 1991 jo vetëm nuk zbatojnë ligjin 119/2014 per te drejtën e informimit, por kanë guximin të mos zbatojnë vendimin e gjykatës!? Dhe gjykatës se reformuar prej tyre!

Çfarë ndodh kur nuk zbatohen vendimet e gjykatave? Themelet e sistemit juridik hidhen në erë dhe besimi publikut te gjykata kthehet në shaka.

1. Minohet sundimi ligjit
Moszbatimi i vendimeve gjyqësore dobëson sundimin e ligjit, pasi u lejon individëve, subjekteve, apo institucioneve të shpërfillin vendimet pa e vrarë mendjen. Për pasojë rritet paligjshmëria dhe mosndëshkimi. Kushdo bëhet “trim” duke shpërfillur ligjin. Dhe vjen dita dhe hapim gojën me guximin që kanë për të grabitur prona dhe fonde publike.

2. Humbja e besimit tek gjyqësori: Kur vendimet e gjykatës nuk respektohen, besimi publikut te gjykata shkon në zero.

3. Rritja e mosmarrëveshjeve dhe konflikteve:
Vendimet e gjykatës që mbesin në letër shtojnë mosmarrëveshjet mes palëve në konflikt. Kjo situatë sjell konflikte të mëtejshme, juridike dhe sociale, pasi palët e dëmtuara i drejtohen mjeteve alternative për të zgjidhur hallin. Dhe pyesim pse janë rritur aktet e vetëgjyqësisë dhe referencat në Kanun.

4. Demokracia si farsë
Respektimi i vendimeve gjyqësore është thelbësor për ruajtjen e ndarjes së pushteteve dhe sigurimin e kontrolleve dhe ekuilibrave brenda një sistemi demokratik. Kur vendimet e gjykatave shpërfillen, minohet parimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe demokracia kthehet në parodi.

5. Ndikimet në investime dhe stabilitet ekonomik:
Zbatimi sipas dëshirës i vendimeve gjyqësore shkurajon investimet vendase dhe të huaja. Kush do të punojë dhe jetojë në një vend ku nuk sundon ligji?
Kur nuk zbatohen vendimet e gjykatës nuk ka më kuptim të flitet per shtet të se drejtes, por për xhungel.

Qershia mbi torte një tjetër ngjarje në polici: Nje oficer policie fiton gjyqin në të dy shkallët e gjyqësorit për njohje e grades në bazë të karrieres. Me vendimin e gjykatës në dorë shkon te (ish) drejtori i përgjithshëm i policisë i cili pasi lexon vendimin në konfidencë i thotë: Kke të drejtë, por kam vendosur të mos zbatoj asnjë vendim gjykatash për gradat”

Çfarë të thuash? Mbetet të pyesim nëse ligjet janë për t'u zbatuar apo janë thjesht çështje interpretimi?

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco