Pallati i dëmtuar nga tërmeti i 2019, ujërat e zeza mbulojnë zonën, Bashkia thotë se s’ka fonde

Pallati i dëmtuar nga tërmeti i 2019, ujërat e zeza mbulojnë zonën, Bashkia thotë se s’ka fonde

21:22, 29/03/2024
A+ Aa A-

Banorë të dy pallateve në lagjen Rrushkull në Sukth ankohen se nuk është zbatuar kërkesa e tyre për të restauruar fasadën e pallateve të tyre të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Ujërat e zeza kanë shpërthyer gjithandej në lagje, duke rrezikuar shëndetin e këtyre banorëve. Pallati ku këta banorë jetojnë është vlerësuar nga inxhinierët pas tërmetit me nivel dëmtimi DS2.

Ata janë ankuar shumë herë në Njësinë Administrative Sukth si dhe në Bashkinë Durrës, por askush nuk u ka dhënë një përgjigje e jo më të merrnin masa. Përveç lagështisë në mure që po rrënon ditë pas dite pallatin, ujërat e zeza janë kthyer në tmerrin e banorëve. Aq sa kur bie shi ato u hyjnë edhe në shtëpi. Fekalet janë kudo dhe nuk është e mundur as të hapen edhe dritaret, pasi nuk durohet era e keqe.

Duke parë gjendjen e pallatit dhe shqetësimin e banorëve, Fiksi iu drejtua Njësisë Administrative Sukth. Specialisti Gjergj Gerco sëbashku me gazetarët e Fiksit panë nga afër gjendjen e pallatit dhe ai konfirmoi se janë protokolluar për këtë shqetësim mbi 10 ankesa nga banorët. Ankesa që i janë deleguar Bashkisë Durrës.

Gjithsesi ai u shpreh për Fiksin se përsa i përket fasadës së shpejti njësia do të ndërhyjë për rikonstruksionin e saj. Përsa i përket ujërave të zeza Bashkia Durrës dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka ngritur një grup pune, ku inxhinierat kanë parë situatën në terren. “Për këtë është një fond i madh dhe së shpejti pritet të zbatohet që nuk do rregullojë vetëm problemin e këtij pallati, por gjithë zonën” pohon Gerco.

Fiks Fare kërkoi informacion edhe pranë Bashkisë Durrës. Kjo e fundit në përgjigjen e saj sqaroi se për objektet që kanë nivel dëmtimi DS2 nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 në buxhetin e Bashkisë Durrës të miratuar me Vendim të Këshillit Bashkiak nuk ka fonde për kryerjen e këtyre riparimeve. Bashkia sqaron se ne vijim do të vlerësohet mundësia e përfshirjes në momentin që do të ketë financime me objekt rikualifikimin e fasadave.

Lidhur me probemin e ujërave të zeza , bashkia pranon se janë vënë në dijeni nga Njësia Administrative e Sukthit.

Ujësjellës Kanalizmie Durrës kanë ndërhyre disa herë në zonë duke kryer zhbllokime dhe largime të ujërave të zeza me mjetet e UKD – së por, duke qenë se rrjeti është i amortizuar, është vendosur të ndërhyhet me projekte për rikonstruksionin e kanalizimeve.

Aktualisht, Drejtoria e Projekteve dhe Infrastrukturës Publike të Bashkisë Durrës në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit janë duke projektuar ndërtimin e kanalizimeve të ujërave të zeza për unazën e fshatit Rrushkull që përfshin edhe pjesën e dy pallateve në fjale për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare problematikes së mbartur prej vitesh, thekson Bashkia e Durrësit.

Image

Image

Image

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco