'Fëmijët e varrezave'

'Fëmijët e varrezave'

21:29, 24/02/2024
A+ Aa A-

Nga Alba Kepi

Fëmijët e varrezave 

"Zoti ju lehtësoftë", "Qoftë i xhenetit", "Boni sevap", "A t'jua pastroj cdo javë?"...

Shkurt 2024, Tiranë. 

Mëngjes i zhurmshëm, kush grindet me borinë e makinës, dikush tjetër me këmbësorët e këta me njëri-tjetrin. 

Në trotuare fëmijë e adoleshentë që shkojnë në shkollë. 

Duke shkuar drejt periferisë, Tirana bëhet e qetë. 

Më thellë e qyteti është më i heshtur, e akoma më tej heshtja merr forma varri.

Tufinë, varrezat publike. 

Mëngjesi i shkurtit këtu është therës. Dajti ftoh ajrin e deri në mesditë ruan në zemrën e tij diellin.

Në çdo parcelë gjen 2-3-4 fëmijë ulur buzë bordurave të varreve e presin. 

Janë fëmijët e varrezave, të padukshmit nga shoqëria, shteti, Bashkia. I gjen cdo mëngjes pranë varreve, o gropave të hapura gati për t'u mbyllur pas pak orësh. 

Kanë filluar ditën e punës ndërsa moshatarët e tyre, në qëndrën e zhurmshme, kanë nisur mësimin.

Presin me durim sa mbaron takimin me pllakën e mermerit, derisa kokën e vë drejt mbi shpatull e sheh qiellin.

"Zoti t'lehtësoftë dhimbjen, t'pastë lënë ymrin, qoftë i xhenetit", e një lumë urimesh dëgjon të vijnë pas. 

Është një djalë rreth 10 vjec, buçko me një felpë të kuqe që i mbron kokën nga i ftohti, nga ku i dalin një tufê flokêsh biond. 

Mbi trup mban veshur një xhup lëkure, burrash. 

I rrinte i gjatë deri te gjunjët, poshtë të cilëve dukeshin çorapet ku kishte futur tutat.

Fliste ngadalë me fjalët e një të rrituri, dhe dorën e një vogëlushi zgjatur lëmoshë. 

"A do të ta pastrojë cdo ditë?", "Më jep sa të duash", "Bo sevap".

Ai zë i njomë kishte marrë ngjyra të rrituri e jepte këshilla se si buqetën e luleve duhej ta hapja, t'ua prisja bishtat për të mos i vjedhur. Lulet ishin shtrenjtuar në dyqane e i merrnin mbi varre për t'i rishitur.

Në parcelën ngjitur rrinin 2-3 fëmijë të tjerë. Po ndjekin me sy një automjet që vjen nga lart. Sapo ndaloi u drejtuan tek ai. 

U ulën disa metra larg e me durim presin sa takimi shpirtëror të mbarojë e të thonë;

"Zoti ju lehtësoftë", "Qoftë i xhenetit", "Boni sevap", "A t'jua pastroj cdo javë?"...

Fëmijët e varrezave i gjen çdo ditë mes heshtjes së varreve e heshtjes së shtetit. 

"A shkon në shkollë?"

"PO, POOO", thërret buçko biond e pêr pak sekonda nuk e sheh më gjëkund. 

Fëmijët e varrezave janë të padukshmit e shoqërisë, Bashkisë e institucioneve.

Nuk dihet sa janë. 

Nuk dihet në janë viktima shfrytëzimi o fatkeqë të familjes? 

Varret janë vendloja e tyre.  

Harresa, loja e preferuar e shtetit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco