'Këtë vit kemi turizëm gjithëvjetor, interesi për investime në sektor i lartë'

'Këtë vit kemi turizëm gjithëvjetor, interesi për investime në sektor i lartë'

13:45, 04/11/2023
A+ Aa A-

Intervistë me Fisnik Qosja, Kryetar i Bashkisë së Kavajës

Golemi, pjesë e Bashkisë së Kavajës dhe njëkohësisht zemra e turizmit të organizuar në vend, duket se në vitin 2023 do të arrijë të përmbushë objektivin që ende mbetet i synuar nga një pjesë e mirë e vendit: turizëm gjithëvjetor.

Strukturat akomoduese, edhe këto ditë vjeshte, mbeten me rezervime të shumta dhe deri në fund të vitit duket se kështu do të vijojë.

Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, në një intervistë për “Monitor”, pohon se interesi për të investuar në struktura akomoduese mbetet i lartë.

Ai vlerëson se potenciali turistik i bashkisë, ende i pashfrytëzuar, mbetet në fokus të punës dhe se nëpërmjet bashkëpunimit me të gjithë aktorët, ofrimit të një pakete autentike dhe orientimit të kapitalit njerëzor, përfitimi i ekonomisë lokale do të jetë edhe më i madh në vijim.

Prej disa vitesh, Kavaja dhe Durrësi janë pjesa më përfaqësuese e vendit për turizmin e organizuar, duke u kthyer në një shembull të turizmit të qëndrueshëm. Ju si Bashki, si do ta vlerësonit këtë sezon sa i takon pjesës së territorit tuaj?

Sigurisht që ky ishte një sezon fatlum për të gjitha strukturat akomoduese, si dhe për të gjithë operatorët dhe zinxhirin e sipërmarrjeve të lidhura me turizmin në territorin e Kavajës. Ende nuk kemi të dhëna zyrtare, por të dhënat paraprake tregojnë për rreth 30-40% rritje të flukseve turistike në raport me vitin e kaluar.

Edhe tani që po flasim, hotelet dhe operatorët turistikë janë në kapacitet të plotë. Në nëntor dhe dhjetor, rreth 50% të strukturave akomoduese nga Hotele me 5 Yje e deri në apartamente me qira ditore janë të rezervuara.

Ky është një rekord për Kavajën për një turizëm gjithëvjetor. Por ne duam të arrijmë edhe më shumë.

Cilat janë grupet apo tregjet që frekuentuan apo dominuan më shumë në strukturat akomoduese të Bashkisë së Kavajës këtë verë?

Krahas turistëve tradicionalë të trevave shqiptare, të cilët janë gjithnjë besnikë, bregdeti i Kavajës është shndërruar vitet e fundit në një destinacion tërheqës për turistët polakë, ukrainas, estonezë, lituanezë, letonezë apo bjellorusë.

Këta të fundit, të lehtësuar në procedura dhe të orientuar nga agjenci gjigante turistike, sikundër është TUI apo të tjera, zënë një vend të rëndësishëm në tregun turistik të Shqipërisë. Megjithatë, këtë vit, diferencën dhe hovin cilësor e bëri tregu italian. Askush nuk e priste këtë numër të lartë turistësh nga Italia.

Flukset turistike kanë qenë të larta, sidomos gjatë muajve që njihen si pik për sezonin. Cilat ishin disa nga sfidat me të cilat u përballët këtë sezon si bashki?

Unë e mora detyrën më datë 14 qershor, kur motorët e sezonit turistik ishin në kapacitet të plotë. Sfidat që hasëm në fillim ishin të shumta. Një nga pengesat ishte mungesa e mjeteve për ofrimin e shërbimeve cilësore elementare që ka nevojë një territor.

Po kështu kishim mungesë të theksuar stafi, pasi një pjesë e nëpunësve kishim marrë lejen vjetore pikërisht në atë periudhë tranzicioni, ndërkohë që nevoja për shërbime ishte e madhe, sepse ishte në pikun e sezonit turistik.

Sfida jonë e parë ishte sigurimi i shërbimeve bazë. Pasi e kaluam me sukses dhe me dinjitet u morëm me miradministrimin e territorit dhe sezonit.

Sa kapacitete akomoduese zotëron sot Kavaja në numër shtretërish dhe dhomash? Po sa u takon apartamenteve apo vilave të ofruara për akomodim, si ka qenë interesi për t’i regjistruar për qiradhënie?

Kapaciteti i Kavajës është afërsisht 9000 shtretër vetëm në hotele me 5 yje. Rreth 25 mijë shtretër në struktura hotelerie dhe një potencial prej 500.000 shtretërish në struktura të tjera akomoduese, i cili mund të shkojë deri në 1 milion në të ardhmen dhe këtë synojmë.

Ky është një potencial i jashtëzakonshëm drejt të cilit po orientohemi.

Turizmi ka efekt shumëdimensional në industri të tjera mbështetëse si industria detare, makinat me qira, biznese të tjera të lidhura me argëtimin apo turet dhe guidat? Si ka qenë ndikimi i tij në këto industri, nga të dhënat e tregut që dispononi?

Siç ju përmenda më parë, kemi një rritje prej 30-40% në të gjithë industrinë e turizmit, në industri plotësuese apo mbështetëse dhe prodhues të lidhur me të. Synimi është që vitin e ardhshëm, trendi i konsumit turistik të rritet me 50%.

Si paraqitet interesi për të investuar në kapacitete akomoduese, ose sipërmarrje turistike nga biznesi?

Interesi është shumë i lartë për investime në struktura akomoduese. Megjithatë, ne po hartojmë një strategji afatgjatë dhe të qëndrueshme për këto investime, pasi paraprakisht duhet të analizojmë potencialin e bregdetit tonë. Kemi një kufi sa u përket zonave ranore që duhet trajtuar me kujdes.

Në lidhje me sipërmarrjet e tjera turistike, jo vetëm që nuk kanë asnjë pengesë, por ne tashmë kemi mundësuar lehtësi fiskale dhe gjithashtu grante të vogla për startup-e dhe sipërmarrje nga të rinj që pasurojnë ofertën tonë turistike dhe rrisin imazhin e Kavajës.

Gjatë verës, ofrimi i aktiviteteve argëtuese, por edhe promovuese për turizmin, janë pjesë e programeve të zbatuara nga bashkitë. Cilat ishin disa prej tyre, nëse ka pasur për Bashkinë e Kavajës?

Aktivitetet kanë qenë të shumta si pjesë e plotësimit të një pakete sa më të plotë për sezonin turistik. Disa nga aktivitetet e organizuara nën kujdesin e Bashkisë, janë: Bashtova Festival, Panairi i Kulinarisë, Panairi Kavaja Zemra e Shqipërisë, Maratona e Këngës, Kavaja Show, disa shfaqje për fëmijë.

Megjithatë nuk jemi të kënaqur! Që tani kemi nisur punën për një axhendë të plotë për sezonin e ardhshëm. Do të kemi çdo ditë të paktën një aktivitet gjatë të gjithë sezonit turistik.

Cilat janë disa nga investimet kryesore të Bashkisë së Kavajës në infrastrukturë (rrugë, ujësjellës, parkim, ndriçim etj.) të cilat lidhen drejtpërdrejt me përmirësimin e potencialit turistik të qytetit dhe rrethinave të tij në vitin 2023 dhe planeve për vitin 2024?

Që tani kemi filluar me investimet në infrastrukturën dytësore, një ferr i përditshëm për sipërmarrjet, turistët dhe patjetër banorët e Kavajës. Paralelisht po vëmë në punë impiantin e trajtimit të ujërave të ndotur, të cilin, për fat të keq, e gjetëm pa energji elektrike dhe pa asnjë roje.

Një papërgjegjshmëri ekstreme. Jemi në përfundim të një studimi për bonifikimin e zonës dhe një strategji afatgjatë për gjelbërimin dhe mirëmbajtjen.

Gjithashtu kemi dakordësuar një strategji të përbashkët me kompanitë e pastrimit për trajtimin e integruar të mbetjeve. Mund të them që do të shihni një tjetër standard dhe një tjetër Kavajë në sezonin e ardhshëm!

Cilat janë disa nga atraksionet më të vizituara natyrore, kulinare apo kulturore të Kavajës gjatë këtij viti?

Kavaja është e bekuar nga Zoti, me mbi 30 kilometra vijë bregdetare, me kodra panoramike të mrekullueshme, me një trashëgimi të pasur kulturore. Është gjithashtu një ndër vendet me florën dhe faunën më të pasur në Ballkan. Plazhet e Forsilukut, Carinës, Gjeneralit, Karpenit, Golemit, Qerretit janë të mrekullueshme.

Kisha e Shën e Premtes, Kalaja, Xhamia, Kalaja e Bashtovës janë ndër monumentet më të shtrenjta të trashëgimisë tonë kulturore. Relievi në Bago, Blerimaj, Luz, Çetë është mahnitës.

Kavaja është shumë e vizituar, por ka një potencial të jashtëzakonshëm ende të pashfrytëzuar! Po punojmë fort për këtë.

Mbyllja e një sezoni shënon fillimin e përgatitjes për atë të radhës. Cilat janë pikat kryesore ku do ta fokusoni vëmendjen në vijim, në funksion të një sezoni të ardhshëm më të mirë se ky që lamë pas?

Jemi sa entuziastë, aq edhe të fokusuar te përgjegjësia që na është ngarkuar nga qytetarët me besimin e dhënë dhe për këtë, synimi ynë është të vëmë në lëvizje kapitalin tonë të jashtëzakonshëm njerëzor dhe natyror.

Në bindjen time, ky kapital është një i vetëm dhe kështu duhet trajtuar në optikën e një zhvillimi të qëndrueshëm të Kavajës. Duam të bashkojmë në njerëzit, territorin, traditën, trashëgiminë tonë materiale dhe jomateriale, në ofertën tonë turistike në një formë sa më autentike.

Duam që qytetarët të jenë pjesëmarrës dhe përfitues të këtij ndryshimi. Kemi rritur të ardhurat dhe kemi ngritur një sistem menaxhimi, që i shërben një pune më cilësore!

Krahas sigurimit të shërbimeve bazë kemi nisur punën dhe jemi duke përfunduar hartën dixhitale, e cila do të përfshijë gjithçka, nga Hotelet me 5 Yje, deri te restorantet, rrugët e biçikletave apo offroad, orëndreqësit, zejtarët e më pas të gjithë sitet tona natyrore, me kodrat panoramike të mrekullueshme, me liqenet e vogla përreth.

Pra objektivi është të pasurojmë ofertën tonë turistike dhe të bëhemi gati për një sezon mbresëlënës në vitin e ardhshëm. Kavaja do të jetë patjetër një destinacion në vëmendjen e të gjithëve./Monitor.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco