E konsideruar 'bombë meteorologjike', stuhia ‘Ciaran’ prek edhe Shqipërinë

E konsideruar 'bombë meteorologjike', stuhia ‘Ciaran’ prek edhe Shqipërinë

12:36, 03/11/2023
A+ Aa A-

Stuhia ‘Ciaran’ e cila ka prekur shumë vende të Europës do të prekë edhe vendin tonë. Duke nisur nga mesdita e të premtes, kushtet e motiti do të përkeqësohen ndjeshëm. Fillimisht reshjet do të nisin në veri të vendit ndërsa në mbrëmje do të vijojnë në rajonin qendror dhe në jug, duke sjellë probleme në disa qarqe.

“Kemi qarkun e Shkodrës, Tiranë, Elbasan, zonën e Krujës, më pas do të zbresin dhe Vlora dhe Gjirokastra do të marrin sasi reshjesh të konsiderueshme dhe ky sistem pritet që nesër të zhvendoset në qarkun e Korçës. Të gjithë zonat e Shqipërisë do të marrin reshje me sasi të konsiderueshme, duke filluar që sot pas mesditës dhe të paktën deri ditën e diel ku do të ketë dobësim të reshjeve."-tha për Klan News sinoptikania Lajda Porja.

Niveli i reshjeve në këto qarqe sipas sinoptikanes, për vetëm 24 orë do të arrijë deri 50 mm shi, ndërkohë që temperaturat do të ulen ndjeshëm të Shtunën.

“E shtuna do të ketë jo më shumë se 19 gradë, duke qenë se do të kemi vranësira dhe reshje, do të mungojë rrezatimi diellor. Kjo fundjavë e paqëndrueshme, me shumë reshje, madje pretendohet që në disa zona të plotësohen kuotat mujore në vetëm 24 orë.”

Veç reshjeve intensive të shiut problem do të jetë edhe era e fortë.

“Stuhi të fdorta ere, do të kemi erë që kalon 70-75 km/h duke sjellë probleme dhe sidomos në trafikun detar. Do të thoja që era do të mbetet e fortë deri paraditen e të dielës.”  

Sipas parashikimeve të sinoptikanëve, edhe fillimi i javës tjetër pritet të jetë i paqëndrueshëm, ndërsa temperaturat e ajrit pritet të jenë jo më shumë se 20 gradë Celsius.

Në 24 orët e fundit shumë vende të kontinentit të vjetër janë vënë në alarm të kuq pasi stuhia “Ciaran” po përparon në rajone të ndryshme, duke përfshirë gjithçka në rrugën e saj dhe ekspertët e “pagëzojnë” fenomenin si “bombë meteorologjike”.

Në total, gjashtë persona kanë vdekur nga rrëzimi i pemëve, një shofer kamioni në automjetin e tij në rajonin Aisne të Francës, një burrë në qytetin holandez Venray, një grua në qendër të Madridit, një person në Gjermani dhe dy persona të tjerë në Belgjikë, sipas raporteve të policisë.

Erërat në shumë zona të Italisë, Britanisë, Francës dhe Holandës po fryjnë rreth 200 km ndërsa shirat e dendur kanë kthyer disa rrugë në lumenj duke shkaktuar probleme serioze në rrjetin hekurudhor dhe ajror rrugor.

Stuhia 'Ciaran' trokiti fillimisht në Itali duke shkaktuar dëme të rënda materiale dhe më pas goditi pjesë të Britanisë dhe Francës. Në Paris përurimi i Kullës Eifel nuk u bë dje, siç ishte planifikuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco