Masakra pyjore e zonave të mbrojtura

Masakra pyjore e zonave të mbrojtura

20:37, 31/10/2023
A+ Aa A-

Në Parkun Kombëtar Lurë-Mali i Dejës, një nga zonat më të bukura alpine, dora e njeriut ka bërë kërdinë, edhe pse nga viti 2016 ekziston një moratorium, që në teori pengon çdo aktivitet industrial, tregtar apo prodhues.

Prej më shumë se 20 vitesh, Lazam Kaci nga fshati Borie-Lurë në verilindje të vendit, nuk e ul për asnjë çast vigjilencën. 83-vjeçari, shtëpia dhe stani i të cilit gjenden poshtë pyjeve mahnitëse të Lurës, i ka mbrojtur me forcë dhe diplomaci drurët e lartë dhe me shumë vlerë, që i ka falur natyra. Nga të gjithë në zonë ai njihet si “heroi i heshtur i pyjeve”. Lura, shpallur Park Kombëtar që prej vitit 1966, është sot një ndër zonat më të shpyllëzuara në Shqipëri. Kudo syri të sheh cungje pemësh. Përveç pyllit të mbrojtur nga Lazami.

“Që në fillim, kur vijoi kjo situatë, unë isha kundër. Isha kundra, edhe për interesat e mia, sepse po të priteshin pyjet do të na mbulonin ortekët, por isha kundër edhe për interesat publike, edhe për interesat e vetë natyrës së Lurës që ishte vend i bukur, ishte i preferuar, ishte i njohur. Por këtu s’ka pyetur kush për seleksionim, veç: Bjeri! Bjeri kësaj pasurie që e ke në dorë. Gjithçka për pasuri është shkatërruar. Është shkatërruar gjithçka që të pasurohet një grup. Në daç quaji oligarkë, në daç quaji mbështetësit e pushtetarëve. U linin dorë të lirë”.

Image

Me krenarinë që nuk e fsheh dot, thotë që pyllin e ka mbrojtur me forcë, bashkë me djemtë e tij. Por paralelisht, që kur nisi masakra mjedisore, në vitin ’97, ai nuk ka reshtur së dërguari kërkesa tek kryeministrat, presidentët, dhe ministrat e Mjedisit të kohës. “E kam parashikuar këtë gjendje që i ngjason një ngarkese plasëse masive, e cila me një ngacmim të jashtëm do të shkaktojë një katastrofë masive dhe kështu ndodhi” – shkruan ai në një letër drejtuar presidentit, 20 vite më parë.

Shpyllëzimi i Lurës

Që nga vitet ’90, pyjet e dendur u shndërruan në “prenë” e shumëkujt që drurin e shihte si pronë të vetën me të cilën mund të bënte ç’të donte. “Lëndën drusore na e kanë marrë Mirdita dhe Mati. Këtu banorët pjesërisht kanë bërë dëme. Nuk mund të përjashtoj asnjeri. Unë e them me bindje të plotë që në atë periudhë, të gjithë, edhe ata që ishin në marrëdhënie pune me shtetin, me qeverisjen, edhe ata e bënin dëmtimin, pjesën e tyre. Pra, s’mund të veçosh dikë. Por, nuk ishte efiçente ndërmarrja pyjore. Drejtuesit, punonjësit në atë kohë e quajtën një privatizim, si ta kishin pronën e tyre dhe ishte leje pa kufi” – thotë Leonard Rajta, kryetar i Njësisë Administrative Lurë, duke theksuar se dëmet më të mëdha i përkasin së shkuarës.

Jashtë kameras vetë banorët thonë se ka pasur shumë fshatarë të zonës, të cilët kur u zhvendosën në Tiranë për një jetë më të mirë, rreth viteve 2000, përdornin drutë e pyllit për ndërtimin e shtëpive të reja. Megjithatë, ata nuk marrin përsipër përgjegjësinë e të qenit fajtorë kryesore të shpyllëzimit.

Image

“Këto shpyllëzime nuk bëhen për mbijetesë. Nuk bëhen për popullin, nga dy njerëz që kanë mbetur pa bukë, jo. Në fakt aty ku ndërhyn biznesi shkatërrohen pyjet, shkatërrohen ekosistemet, shkatërrohet natyra dhe çdo gjë. Unë e përsëris pa droje këtë: Të parët tanë kanë prerë tërë jetën pyje dhe nuk janë zhdukur pyjet. Pse? Se vinin me kujdes, me atë kryeplakun, me atë teknikun e pyjeve dhe pritnin dy drurë, tre drurë që ju duheshin edhe e linin atë që të shtohej. Kurse tani,atje shkohet për biznes natën, priten pyje vend e pavend” – thekson Hajri Haska, ekspert pyjesh dhe pedagog.

Të njëjtën tezë mbron edhe Lindita Çela, gazetare e Rrjetit Investigativ Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, OCCRP. “Nëqoftëse do t’i shohim të tëra hallkat, duke filluar që nga kompanitë tregtare, që nga procedurat e tenderit, që nga licensimi i tyre, që nga puna që ata bëjnë, sa përqind të territorit kanë rivitalizuar me fidanë të rinj dhe sa përqind është nën zjarr, unë mendoj që analiza do të na dalë. Që s’kemi të bëjmë as me raste lokale, nuk kemi të bëjmë më as me raste sporadike. Kemi të bëjmë me një rrjet të organizuar, i cili jo vetëm ka gjetur mënyrën për të marrë projektin edhe për të fituar tenderat, por edhe për të humbur gjurmët”.

Tregu europian i mobiljeve, destinacioni final?

Ndër speciet më me vlerë që gjenden në Lurë janë arneni i bardhë dhe i zi, rrobulli, si dhe pisha e zezë, pemë që rriten deri në lartësinë 1700 metër mbi nivelin e detit. Sipas “Inventarit Kombëtar të Pyjeve dhe Kullotave në Shqipëri”, publikuar një vit më parë, “sipërfaqja pyjore e prekur nga prerjet ilegale ndër vite rezulton në masën 8%, ose 96.067 hektarë”. Ekspertët thonë se shifrat e humbjeve janë disa herë më të mëdha, edhe pse të gjithë duan t’i qëndrojnë larg “kurthit të shifrave”.

“Druri i arnenit të bardhë është një dru i butë që punohet lehtë nga mjeshtrat e drurit, sidomos në Lurë është përdorur që në kohë të lashta. Rreth viteve 2000 iu rrit vlera shumë, se në fillim është shitur me 20 mijë lekë të vjetra. Kurse më vonë ka shkuar 100 mijë lekë të vjetra për metër kub, trup, jo dërrasë. Se dërrasa shkonte 600-700 mijë” – thotë Agim Leka, inxhinier pyjesh në Lurë.

Në vitin 2016 u miratua moratoriumi 10-vjeçar i pyjeve, i cili në teori pengon çdo aktivitet industrial, tregtar, prodhues dhe ekonomik në pyjet shtetërore dhe private. Por praktika tregon të kundërtën. Në vitin e shtatë të moratoriumit, shifrat zyrtare tregojnë se eksportet e drurit janë rritur ndjeshëm. Referuar Institutit të Statistikave, nga 2016-ta e deri në fund të 2022-shit, vlera e eksporteve të drurit dhe artikujve prej tij, është rritur me 44.6%.

Sipas hulumtimeve të EuroNatur, shoqatë ndërkombëtare mjedisore që kryen kërkime edhe në pyjet shqiptare, destinacioni përfundimtar i drurit nuk dihet me siguri. “Nuk është e lehtë për ta vërtetuar, sepse nuk ka një sistem të mirë gjurmimi të drurit. Është mjaft e lehtë që ta sjellësh në tregun e ligjshëm, edhe kur druri vjen nga burime të paligjshme ose nga tregu i zi. Dhe ata që e sjellin drurin e paligjshëm në treg nuk janë të interesuar për të lënë gjurmë. Ajo që dimë është se Evropa Qendrore është një treg i rëndësishëm, por kemi edhe raportime se druri nga Evropa eksportohet në Kinë apo Japoni, si dhe në Shtetet e Bashkuara. Por kemi transport edhe në drejtimin tjetër, pra druri nga nga SHBA ose Amerika Veriore që vjen në Evropë. Është një treg mjaft i ndërlikuar. Dhe nëse do ta dish nëse për shembull druri i Shebenikë-Jabllanicës ka përfunduar paletë në supermarketet gjermane, atëherë duhen aplikuar metoda shkencore. Sigurisht që mund t’i nënshtrohet kësaj analize por është punë shumë voluminoze dhe shumë e kushtueshme që ta provosh” – thotë Gabriel Schwaderer, Drejtori Ekzekutiv.

Në letër, ligji shqiptar parashikon burgim deri në një vit për prerjen e paligjshme të pyjeve. Megjithatë, në qeli nuk përfundon kurrë askush. Nga hyrja në fuqi e moratoriumit, organi i akuzës regjistron 1058 të proceduar për prerje të paligjshme pyjesh, por në fund gjykatat i pezullojnë vendimet e dënimit me burg dhe të pandehurit ia hedhin paq, vetëm me shërbim prove. Më konkretisht, vitin e kaluar, në 90.7% të rasteve gjykata ka pezulluar vendimin e dënimit me burg dhe të pandehurit kanë kaluar në shërbim prove. Në një rast është vendosur pushim çështjeje dhe për pesë raste të tjera është dhënë pafajësi. Numri më i lartë i procedimeve për vepra penale është regjistruar në Korçë, Elbasan, Lezhë, Shkodër, Dibër, Kurbin.

Rivitalizimi, mision i (pa)mundur

“Kostoja për ta rehabilituar Lurën, për ta sjellë në po atë gjendje siç ka qenë, është shumë e lartë. Dhe mendoj që edhe bashkitë të cilat mund të jenë të përfshira në atë territor, gjithashtu edhe administrata e zonës së mbrojtur apo Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, e kanë të pamundur që ta përballojnë financiarisht këtë rehabilitim të shpejtë. Nga ana tjetër, duhet të themi që buxheti i Ministrisë së Turizmit dhe të Mjedisit apo edhe i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura është shumë i kufizuar, gjë që tregon që edhe numri i stafit respektiv që duhet të mbikqyrë dhe të administrojë këto territore, është shumë i vogël krahasuar me sipërfaqen”– thotë Klodiana Marika, Drejtore për Natyrën dhe Pyjet, në Ministrinë e Turizmit dhe të Mjedisit.

Edhe pse aty është bërë një dëm shumë i madh, thotë profesor Hajri Haska, situata duket shpresëdhënëse, por duhet bërë sërish shumë kujdes. “Lura ka filluar të ripërtërihet në disa vende. Edhe llojet specifike që janë për shembull atje arneni, rrobulli që thonë ata, ose edhe bredhi dhe ahu, kanë filluar të ripërtërihen mjaft mirë dhe në një gjendje shumë të kënaqshme. Vetëm se tani duhet shumë kujdes. Sepse filizëria, në fillimet e para, do pak hije. Sepse ka dy momente, ose mund ta djegë një vapë shumë e vështirë në vitin e pare, ose një dimër shumë i fortë. Ndaj dhe bagëtia në mënyrë kategorike nuk duhen të kullotet në momentet kur ka ripërtëritje”.

Por sikur të mos mjaftonin motosharrat, zjarret, në të shumtën e rasteve të qëllimshme, kanë qenë një tjetër valë goditëse për Lurën. Ato nisën në vitin 2007, kohë kur Lura përjetoi një ndër flakët më të dëmshme ndonjëherë. “Për të mbyllur korrupsionin, për të mbyllur trafikimin që të mos dalin në shesh, erdhën dhe i futën zjarrin. Atë ditë, në mëngjes u nisa me delet, dilja me bagëtitë atëherë, dhe po shkoja në krahun tjetër dhe po shihja që po vinin njerëz për të vënë zjarret gjithandej. Por jo vetëm këtu, por edhe në zona jashtë Lurës ka qenë e njëjta datë, në të njëjtën ditë” – thotë Lazam Kaci./DE

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco