VIDEO/ Mjekësia vazhdon bojkotin, pedagogët mbështesin studentët

10:50, 18/10/2023
A+ Aa A-

Studentët e Fakultetit të Mjekësisë kanë vijuar në javën e tretë të bojkotit. Ato këmbëngulin që ligji për nënshkrimin e kontratës që i detyron ata të qëndrojnë deri në 5 vite në Shqipëri, ose të paguajnë 250 mijë lekë viti, të anulohet. Në rast se nuk ka një përgjigje nga Ministria e Arsimit, studentët paralajmërojnë se nuk do të tërhiqen.

“Ne jemi kokëfortë ndaj bojkotit, do ngulmojmë në atë që kërkojmë, të kemi një shenjë jete nga instancat më të larta, nëse nuk ka asnjë reagim, do vazhdojmë bojkotin”, shprehet një studente e vitit të pestë në Mjekësi të Përgjithshme.

Në mbështetje të studentëve kanë shkuar edhe pedagogë.

“Kemi pedagogë në mbështetjen tonë. Janë pro nesh, pro kauzës, na kanë thënë që të vazhdojmë të ngrihemi, të ngremë zërin për vete”, vijon ajo.

Fatura prej 250 mijë lekë viti, për studenten është shumë e lartë. Ajo tregon se vjen nga një familje e thjeshtë e cila kurrsesi nuk mund të paguajë një shumë kaq të madhe për 1 vit shkollor.

“Prindërit e mi, janë shumë suportiv dhe janë pro nesh, më kanë dërguar me mirëbesim, me shpresën se do ia dal. Nuk kanë mundësi për ta paguar familja ime tarifën, vij nga një familje e thjeshtë, është goxha e lartë, jemi të vendosur për të vazhduar në rrugën që kemi nisur”, tregon studentja.

Ajo shprehet se ndonëse nuk kanë shkuar asnjë ditë në auditore, kanë vijuar mësimin në shtëpi në mënyrë autodidakte. “Ne mundohemi që të mësojmë vetë, vazhdojmë të lexojmë në shtëpi”, përfundon studentja.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco