Lindshmëria në Durrës pëson rënie, në 9 muaj lindën 1218 bebe -  Sociologët tregojnë arsyet

Lindshmëria në Durrës pëson rënie, në 9 muaj lindën 1218 bebe - Sociologët tregojnë arsyet

22:26, 09/10/2023
A+ Aa A-

Në Durrës, numri i lindjeve po shënon vetëm rënie. Nga janari i këtij viti e deri në shtator, në maternitetin e Durrësit kanë lindur 1218 bebe.

“Në maternitetin e Durrësit vihet re një rënie e numrit të lindjeve nga viti 2020 deri në vitin 2023. Në vitin 2020 kanë qenë 2263 lindje, në vitin 2021 janë regjistruar 2356 lindje, në vitin 2022 kemi 2062 lindje dhe në vitin 2023, në 8 muajt e parë janë regjistruar 1218 lindje”, -tha Diana Shahini, shefja e shërbimit obstetrik– gjinekologjik në maternitetin e Durrësit.

Sociologia Mirjam Reçi thotë se janë disa faktorë, që po dekurajojnë durrsakët të lindin, duke e vënë theksin tek frika e çifteve për familje me shumë fëmijë.

“Së pari mund të jetë çështja e lëvizjes së popullatës dhe kryesisht emigracioni”, -tha  për euronews Mirjam Reçi, sociologe.

 “Një tjetër arsye mund të jetë siguria ose pasiguria e çifteve në raport me punën dhe strehimin.”

Vit pas viti, çiftet e reja duket se zgjedhin një periudhë më të maturuar për t’u bërë prindër dhe kjo reflektohet në shifrat e lindshmërisë.

 “Përgjithësisht të rinjtë e sotëm pas diplomimit janë të fokusuar në zhvillimin e karrierës së tyre dhe vitet e vrullshme të ndërtimit të një stabiliteti ekonomik bëjnë që lindjet t’i bëjnë më vonë. Martesat në moshë të madhe automatikisht sjellin lindje të mëvonshme dhe në këtë pikëvështrim çiftet mund të marrin vendimin të kenë një maksimumi, dy fëmijë” -tha Mirjam Reçi, sociologe.

Në këto kushte, sociologia sugjeron kryerjen e studimeve dhe analizave të thelluara.

 “Çdo lloj sektori duhet të ketë analiza dhe statistika dhe kjo për një arsye që sociologët e quajnë ‘Zhvillimi i aspektit teorik për të ardhmen’. Pra, në qoftë se njihen shkaqet dhe pasojat e një fenomeni sot, ti arrin të parashikosh, për të ardhmen e afërt ose të largët, sesi do të shkojë zhvillimi shoqëror” -tha Mirjam Reçi, sociologe.

Sipas të dhënave të INSTAT, për tremujorin e parë të këtij viti, numri i lindjeve në mbarë vendin ka rënë ndjeshëm duke arritur në nivelet më të ulëta historike në shumë dekada.

Në tremujorin e parë të këtij viti numri i lindjeve është 5.164, duke shënuar një rënie me 16,9%, krahasuar me tremujorin e parë 2022. Ky është numri më i ulët i lindjeve i regjistruar ndonjëherë në një tremujor, të paktën që pas viteve ‘90.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco