Ksamili nuk i ka të gjitha! Qyteza është plot me të turistë, por mungojnë rrugët, ndriçimi dhe ka trafik

Ksamili nuk i ka të gjitha! Qyteza është plot me të turistë, por mungojnë rrugët, ndriçimi dhe ka trafik

20:22, 16/08/2023
A+ Aa A-

Ksamili një nga destinacionet kryesore të turizmit të bregdetit është duke jetuar përgjatë gushtit kapacitete maksimale.

Vetë qyteza ka një shtim të kapaciteteve me gati 300 shtretër në raport me vitin e kaluar dhe të paktën 30% më shumë vizitorë.

Ksamili është këtë vit kopertinë e revistave europiane të udhëtimit, ka tërhequr vëmendjen e shumë influencuesve të botës së udhëtimit si dhe po promovohet prej së tepërmi në mediat sociale. Me qindra “reels” në Tik Tok e Instagram u frymëzuan nga Ksamili “ekzotik” këtë vit dhe kjo falë investimeve private të operatorëve, hoteleve, resorteve, agjensive të aktiviteteve të ujit dhe restoranteve.

Por ata që jetojnë në Ksamil tregojnë se investimet publike nuk janë në nivelin e këtij promocioni. Banorët dhe bizneset flasin për mungesa në infrastrukturë, ndriçim, pastrim dhe një kaos të vërtetë urban kur qyteza shumëfishon kapacitetet.

Edhe vizitorët kanë çdo ditë vështirësi për të parkuar, për të shëtitur, për të gjetur plazhe apo për të zgjidhur nevoja më bazike siç është një bankomat.

“Jemi duke kërkuar për një çadër në plazh por çdo gjë është plot. Shumë e vështirë duket. Për parë u vështirësuam të vinim këtu dhe radha e mjeteve ishte 2 km. E patëm shumë të vështirë të parkojmë. Kjo është dita e parë por të shohim në vijim”, tha një turist.

“Çdo gjë mirë deti, çmimet, ushqimi. Parkimi është i vështirë këtu edhe shëtitja e pasdites dhe nuk kemi gjetur asnjë bankomat që funksionon. Të tjerat janë mirë, përfshi edhe çmimet”, tha një tjetër turist.

Ksamili po i jep ekonomisë shqiptare dhjetëra miliona euro nga fluksi turistik i jashtëzakonshëm i këtij viti. Qyteza e vogël në skajin më jugor të Shqipërisë është plot. Hotelet janë të gjitha të rezervuara me turistë, shumica nga perëndimi që vijnë në këtë vend për bukurinë e plazheve, ishujt dhe natyrën.

Por Ksamili kërkon ndihmë dhe një pjesë të të ardhurave t’i rikthehen për të shtruar rrugët dhe përmirësuar infrastrukturën. Për t’i ndërtuar një shëtitore në breg të detit, Ksamili ka nevojë për një plan urbanistik sepse deri më tani gjithçka e ka arritur vetëm falë operatorëve turistike dhe bukurive të natyrës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco