SPECIALE - SYRI TV/ I sëmuri zë krimba, refuzohet mjekimi te Trauma, nëna e djalit: Është përkeqësuar, na kërkuan 5 milionë lekë

19:45, 30/07/2023
A+ Aa A-

Ndërsa qeveria flet për sukses e mjekësi falas, raste skandaloze denoncohen nga spitalet shqiptare. Rasti më i fundit raportohet  nga Spitali i Traumës, ku një i ri i aksidentuar nuk merr ndihmën mjekësore pasi i kërkohet ryshfet. Ky refuzim për mjekim rezultoi fatal për të riun, pasi këmba e dëmtuar u infektua rëndë, duke zënë krimba teksa ndodhej në shtratin e spitalit. Rasti denoncohet nga familjarët e të riut nga Berati.

Syri tv

Një 38-vjeçar nga fshati Pashalli në Dimal, pas një aksidenti që pësoi mbrëmjen e 13 Korrikut në qytetin e Laçit, u transportua në gjendje të rëndë drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë. Eduart Halili u shtrua në spital, por për shkak të pamundësisë ekonomike të familjes së tij, ai nuk u prek me dorë nga mjekët e spitalit. Aksidenti ndodhi rreth orës 22:30, të enjten e 13 korrikut. Asnjë nga mjekët nuk u kujdes për të, derisa pas 6-ditësh, të mërkurën e 19 korrikut, gjuri dhe këmba e tij e dëmtuar nga aksidenti zunë krimba. Kjo i vuri në alarm mjekët që pasi i kishin kërkuar 5 milion lekë, u mjaftuan me 3 milion që arriti të sigurojë kjo familje e varfër dhe e futën në operacionin një ditë më pas, pasi i kishin mjekuar edhe këmbën nga krimbat. Historia e dhimbshme e 38-vjeçarit rrëfehet nga nëna e tij, Selvi Dërka, e cila pohon se pas operacionit djalin nuk e mbajtën më shumë se 4 ditë dhe e dërguan në shtëpi, aty ku gjendja e tij vijon të përkeqësohet.

Nëna e Eduartit shprehet se djali ka dhimbje, gjendja e tij është përkeqësuar dhe familjarët e kanë dërguar në një spital në Durrës. E moshuara shprehet se kushtet e ekonomike të familjes e bëjnë të pamundur trajtimin me ilaçe dhe rikuperimin e djalit, ndërkohë që ajo ka edhe një djalë tjetër me probleme të shëndetit mendor.

Me trishtimin që e ka të pamundur ta fshehë, Selvi Dërka i bën apel shtetit për ndihmë për shërimin e djalit të saj.

Ky është realiteti i hidhur i sistemit Shëndetësor Shqiptar, ku qeveria jep plot 30 milionë lekë nga taksat e qytetareve per te kuruar jashtë shtetit zv/ministren e Shëndetësisë Mira Rakacolli Kapisyzi, por nga ana tjetër lë duke u dergjur dyerve të spitaleve qytetarët e thjeshtë, të cilëve i kërkohen edhe para në këmbim të mjekimit, në Shëndetësinë e pretenduar të jetë falas.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco