2015-2020, fëmijët shqiptarë të lindur jashtë ishin mbi 101 mijë, sa 56% e lindjeve brenda vendit

2015-2020, fëmijët shqiptarë të lindur jashtë ishin mbi 101 mijë, sa 56% e lindjeve brenda vendit

07:19, 26/06/2023
A+ Aa A-

Popullata shqiptare jashtë vendit është rritur me ritme të shpejta në tre dekadat e fundit prej emigracionit të lartë.

Teksa popullsia brenda vendit po tkurret me ritme të shpejta, stoku i shqiptarëve jashtë vendit ka pësuar lindje të fortë. Një studim i Organizatës Ndërkombëtarë për Emigracionin, pjesë e Kombeve të Bashkuara raportoi se nga viti 2015 në vitin 2020 mbi 101 mijë fëmijë nga prindër shqiptare kishin lindur jashtë vendit.

Foshnjat e lindura jashtë ishin sa 56% e lindjeve e lindjeve brenda vendit dhe sa 36% e totalit të lindjeve. Nga 2015-2020 lindën gjithsesi 282,668 foshnja nga prindër shqiptarë nga të cilët mbi 180 mijë ishin brenda vendit dhe mbi 101 mijë jashtë vendit.

Numri i madhi foshnjave të lindura nga prindër shqiptar ishte në Itali dhe Greqi ku jetojnë pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë. Sipas të dhënave të studimit Italia është vendi me numrin më të lartë të emigranteve shqiptarë me 478 mijë persona në vitin 2020. Kjo shifër përfaqëson 45.9 për qind të gjithë shqiptarëve të regjistruar që jetojnë jashtë shtetit.

Vendi i dytë i destinacionit për shqiptarët është Greqia. Është e vështirë të vlerësohet numri aktual i shqiptarëve që jetojnë në Greqi, duke qenë se nuk disponohen statistika të kohëve të fundit, autoriteti helen i statistikave nuk i publikon shifrat e popullsisë sipas vendlindjes, por vetëm i grupon ato sipas vendlindjes.

Popullata shqiptare e lindur në SHBA u rrit në 93.5 mijë në vitin 2020. Kjo e bën SHBA-në vendin e tretë më të preferuar të destinacionit për emigrantët shqiptarë në vitin 2020. Emigrantët shqiptarë në Itali, Greqi dhe SHBA përbëjnë mbi 80 për qind të të gjithë personave që kanë lindur në Shqipëri, por që jetojnë jashtë. Vende të tjera destinacioni për emigrantët shqiptarë janë Gjermania (60 mijë), Mbretëria e Bashkuar(41 mijë) dhe Franca.

Në vitin 2020, sipas INSTAT-it afërsisht 1.68 milionë shqiptarë jetonin jashtë shtetit, 884.7 mijë burra dhe 799.1 mijë gra.

Gjatë vitit 2019, shqiptarët e diasporës u rritën me 2.6 për qind. Metoda e vlerësimit e përdorur nga INSTAT-i merrte në konsideratë vetëm personat e larguar nga Shqipëria pas vitit 1990 (diaspora e re).

INSTAT-i përdori një metodë të përllogaritjes indirekte për të llogaritur këto shifra, duke krahasuar numrin e personave në regjistrin e Gjendjes Civile me numrin e personave që jetonin në Shqipëri, bazuar mbi Censusin e vitit 2011 dhe vlerësimet vjetore të ndryshimeve të popullatës (INSTAT, 2020).

Anketa Kombëtare e Migracionit në Familje (AKMF) e vitit 2019 është një tjetër burim i rëndësishëm për të përcaktuar tendencat e migracionit.

Objektivi i kësaj ankete ishte të ofronte informacion mbi nivelet neto të migracionit midis viteve 2011 – 2019 dhe të përshkruante karakteristikat e popullatës së përfshirë në procesin e migracionit.

Konkluzioni kryesor i anketës ishte se në të gjitha familjet shqiptare të identifikuara në Censin e vitit 2011, 22.1 për qind kishin së paku një familjar jashtë shtetit.

Këtu përfshiheshin gjithsej 165,946 familje. Midis familjeve emigrante, 29.8 për qind i kishin të gjithë anëtarët që jetonin jashtë shtetit dhe në 70.2% qind të familjeve, një apo më shumë, por jo e gjithë familja kishte migruar.

AKMF doli në konstatimin se në vitin 2019, afro 6.6% e familjeve të vlerësuara gjatë Censit të vitit 2011 jetonin jashtë shtetit./Monitor 

Image

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco