Kisha Ortodokse kremton Pashkën, sonte E Shtuna e Madhe

Kisha Ortodokse kremton Pashkën, sonte E Shtuna e Madhe

08:11, 15/04/2023
A+ Aa A-

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë kremton sot Pashkën. Sipas riteve kishtare, shërbesa e parë që i përket të Shtunës së Madhe, quajtur në Kishë Sabati i Bekuar, kryhet në mbrëmjen e së Premtes së Zezë. Zakonisht kryhet mbasdite për të përkujtuar varrimin e Krishtit.

Përpara se të fillojë shërbesa, është përgatitur një "varr" (Kuvuklion) në mes të Kishës dhe është zbukuruar me lule. Gjithashtu një ikonë e veçantë e pikturuar ose e qëndisur në një pëlhurë (në greqisht epitafios dhe në sllavisht plashanica), ku paraqitet Shpëtimtari i vdekur, është e vendosur në Tryezën e Shenjtë.

Shërbesa e Mbrëmësores, si zakonisht fillon me himne rreth vuajtjes dhe vdekjes së Krishtit. Mbas hyrjes me Ungjillin dhe këndimin e "Dritë Gazmore", lexohen pjesë prej Eksodit, Jobit dhe Isaisë 52. Apostulli është 1 Korinthianët (1:18-31) dhe Ungjilli përbëhet nga pjësët e katër Ungjijve, që tregojnë kryqëzimin dhe varrimin e Krishtit. Paravargu dhe vargjet që thuhen para këndimeve nga Shkrimi i Shenjtë, janë prej psalmeve, të cilat janë tashmë dëgjuar gjatë shërbesave të së Premtes së Zezë. Ata janë vargje me një kuptim profetik: Ata ndanë midis tyre rrobat e mia dhe hodhën short për tunikën time (Psalmi 22:18) Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise (Psalmi 22:1). Më vunë në gropën më të poshtme, më të errët dhe më të thellë (Psalmi 88:6).

Mbas disa himneve që lavdërojnë vdekjen e Krishtit, ndërkohë që kori këndon këngën përlëshuese të Shën Simeonit, prifti, i veshur i tëri me rroba të errta, temjanis epitafin, i cili ndodhet mbi Tryezën e Shenjtë. Pastaj, mbas Ati Ynë, ndërsa populli këndon troparin e ditës (përlëshoren), prifti shkon rrotull altarit, duke mbajtur mbi kokën e tij epitafin dhe e vendos në varrin, që ta nderojnë besnikët. Bujari Shën Josif, pasi e zbriti trupin tënd prej Kryqit të Çmuar, e mbështolli me savan të paqmë, e leu me vajra erëmirë dhe e vendosi në një varr të ri (Përlëshore e së Shtunës së Madhe).

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco