VIDEO-SYRI TV/ Banorët e Bërxullës protestë te kadastra: 24 orë afat, ndryshe bllokojmë hyrjen

17:05, 11/04/2023
A+ Aa A-

Këtë të martë banorët e Bërxullës e kanë zhvendosur protestën në zyrat qendrore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Me thirrjet ndaj përfaqësuesve të këtij institucioni që t’u japin informacion mbi certifikimin e pronave, ata arritën të futen edhe në ambientet e brendshme, por sërish u përballën me indiferencë dhe mungesë përgjigje. Në këto kushte banorët vendosën afat 24 orë për kthimin e një përgjigjeje, duke thënë së do të protestojnë sërish derisa të marrin zgjidhje.

Nga SYRI TV

Kjo e martë shënoi skadimin e afatit që banorët e Bërxullës i vendosën drejtoreshës së përgjithshme të Aluiznit, Dallëndyshe Bici, mbi një përgjigje për fatin e pronave dhe tokave të tyre që preken nga projekti Thumanë-Kashar. Agjencia Shtetërore e Kadastrës ishte institucioni ku ata protestuan që prej orëve të para të mëngjesit, ku arritën të futen edhe në ambientet e brendshme për të komunikuar me drejtorin përgjegjës për zonën e tyre, por sërish nuk morën asnjë përgjigje.

Me një heshtje të tillë ata ndeshen sistematikisht prej 7 muajsh që protestojnë, edhe pse kanë bërë shpesh aplikime dhe kërkesa të shumta.

Një rast flagrant është denoncimi që bëri kjo zonjë, të cilës prej vitesh nuk i jepet certifikata e pronësisë, ndryshe nga dy kunetërit e saj, që ajo pretendon se e kanë përfituar kundrejt parave.

Banorët i vunë një afat të ri 24 orësh përgjegjësve të institucionit, që t’u japin një sqarim për pronat, në të kundërt paralajmëruan se do të protestojnë pa ndalur duke bllokuar hyrjen e institucionit.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco